Policia e Shtetit njofton se ka bërë të mundur bllokimin me urgjencë të tre automjeteve të blinduara, të cilët janë në pronësi të Saimir Taullaut, Dashamir Gjikës, dhe Durim Bamit, i cili është me banim në Krujë, dhe i dënuar për vjedhje me armë.
Mjeti i Gjikës u ndalua mbrëmjen e djeshme në afërsi të Rinasit, ndërkohë që u mor dhe vetë në pyetje biznesmeni nga Shijaku, të cilit më herët i ishte kërkuar deklarimi i pasurisë, pasi dyshohet për trafikimin e qenieve njerëzore, vepër për të cilën është vënë nën hetim në Gjermani.
Nga ana tjetër po dje Policia ka sekuestruar dhe automjetin e blinduar të Saimir Taullaut, vëllai i të cilit është vrarë nga banda e Aldo Bares. Vetë Taullau i ka shpëtuar të paktën dy atentateve, ndërsa dyshohet për disa vepra të rënda penale të ndodhura në qytetin e Lushnjes.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 19 të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, nxorri urdhrat e sekuestrimit në kushtet e emergjencës për disa automjete të blinduara, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit.
Automjetet e sekuestruara janë në pronësi të shtetasve:
S.T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
D.Gj., banues në Durrës, i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore;
D.B., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;
Operacioni vijon dhe OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.