Presidentja Osmani ka deklaruar mbrëmjen e sotme se data e zgjedhjeve lokale nuk ndryshon për momentin por nëse do ketë përkeqësim të situatës do të diskutohet.
Në një konferencë për media ka folur për takimin që ka pasur me përfaqësuesit e subjekteve politike në lidhje me shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
Osmani thotë se IKSHPK ka rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale për shkak të pandemisë. Megjithatë ajo thotë se mënyra e vetme për të shtyrë zgjedhjet është konsensusi mes partive të pozitës dhe opozitës.
“Përkundër rekomandimeve të IKSHP-së për shtyrje të zgjedhjeve, mendimi mbizotërues i subjekteve politike opozitare ishte kundër shtyrjes së zgjedhjeve. Unë mendoj se ky mendim mund të ketë pasoja për shëndetin e qytetarëve. Jam për një shtyrje sado të shkurtër të zgjedhjeve, që do të ishte në mbrojtje të qytetarëve tanë. Meqenëse Kushtetuta është e heshtur për shtyrjen e zgjedhjeve dhe mundësia e vetme është gjetja e konsensusit mes palëve, që në këtë moment mungon, unë i ftoj të gjitha subjektet politike, sidomos ata që nuk i kanë respektuar masat deri më tani, që t’i respektojnë masat përgjatë ditëve në vijim, deri më 17 tetor. Nëse ka eskalim të gjendjes, ne do të ulemi sërish e do të diskutojmë për datën e zgjedhjeve. Do ta shohim me kujdes situatën dhe nëse do të ketë situatë të rënduar, do të ulemi të diskutojmë sërish, por për momentin data e zgjedhjeve mbetet 17 tetori”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani.
(E.H/Faxweb.al)