Komisioneri I Mbrojtjes së të Dhënave ka reaguar lidhur me skandalin e publikimit të rrogave të më shumë se 630 mijë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Në reagimin zyrtar zyra e Komisionerit ka kërkuar që të vihen menjëherë në veprim institucionet përkatëse në mënyrë që të ndalohej ky skandal.
Më tej në reagimin e bërë thuhet gjithashtu se ky skandal do të sillte pasoja të rënda pasi ishte shkelje e të drejtave dhe lirive të individit.
Reagimi i Plotë:
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale i është drejtuar me një akt administrativ Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në lidhje me publikimin/shpërndarjen në mënyrë të paligjshme të dhënave personale (databaza) të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat.
Zyra e Komisionerit thekson se publikimi/shpërndarja e këtyre të dhënave, në faqe interneti apo organe të medias, përbën një burim të hapur dhe të paligjshëm informacioni, në të cilin çdokush, brenda dhe jashtë vendit, ka mundësinë e aksesimit të këtyre të dhënave në kundërshtim të plotë me parimet dhe kriteret ligjore të përpunimit të përcaktuara në ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
Nisur nga volumi jashtëzakonisht i madh i të dhënave që përmban kjo databazë, Zyra e Komisionerit ka kërkuar bashkëpunim efektiv dhe ndërhyrje të shpejtë institucionale për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të të dhënave personale online dhe/ose nëpërmjet mediave.
Zyra e Komisionerit vlerëson se kjo ngjarje mund të shkaktoj pasoja të rënda për jetën private, profesionale dhe familjare të qytetarëve dhe përbën një shkelje shumë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore të tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë.