Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në lagjen “Mark Lula” të qytetit të Shkodrës ku për pasojë mbeti i plagosur shtetasi, Mikel Fusha 22 vjeç .
Mesohet se i riu u plagos në këmbë si pasojë e një konflikti të çastit me shtetasin Elvis Lekendreu, i cili është shpallur në kërkim si autor i plagosjes .
Ngjarja ka ndodhur në lokalin ku i riu Fusha punonte së bashku me një femër.
E ëma e Fushës e gjendur me urgjencë në vendngjarje rrëfen mes lotësh dhe britmash tregon se djali i saj ka patur konflikt një javë më parë me shtetasin Lekendreu, pasi ky i fundit kishte shkuar një natë dhe kishte thyer tavolina dhe karrige në lokalin ku Mikeli punonte .
“Ai djali një natë ka thyer të gjithë sendet dhe tavolinat dhe mezi e kanë nxjerr djali dhe vëllai i tij jashtë. Djali punon te lokali së bashku me një femër. Para një jave ka ndodhur përplasja i ka thyer të gjitha tavolinat dhe I ka thënë të atit hajde pagu dhe i ati ka paguar 100 mijë lekë për tavolinat, sot ka ardhur me 5 shokë dhe e ka qëlluar djalin. Kemi shku familjarisht dhe i kemi kërku të na i lëj djalin të qetë”, tha nëna e Mikel Fushës përpara kamerave.
Njoftimi i plotë i policisë: Shkodër/informacion paraprak
Më datë 21.03.2021, rreth orës 19:30, në lagjen “Mark Lula”, Shkodër, dyshohet se pas një konflikti të çastit është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi M. F, 22 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se autori i plagosjes është shtetasi E. L, ku vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.