Temperaturat e larta të kësaj vere kanë shënuar edhe viktimën e parë në Shqipëri. Ai është një 77-vjeçar i identifikuar si Ferit Kuçi nga Ferma Partizani në qytetin e Kuçovës.
Kuçi është gjetur pa ndjenja nga kalimtarët e rastit, në rrugë disa km larg nga banesa e tij. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Beratit, por e ka patur të pamundur të mbijetoj. Sipas mjekëve mësohet se 77-vjeçari ka mbërritur pa shenja jete në spital.
Pas ekzaminimit mjekoligjor të viktimës, është deklaruar se vdekja ka ardhur për shkak të “kardiomiopisë së dilatuar” e quajtur ndryshe “zmadhimi i zemrës”.
Sipas mjekëve, kjo diagnozë prek të sëmurët kronikë me zemër dhe vjen si rezultat i dehidratimit për shkak të mospërballimit të temperaturave të larta.
Kujtojmë se në 3-ditët e fundit, temperaturat janë rritur ndjeshëm në vendin tonë, duke arritur në mbi 40 gradë celsius në vend, ndërkohë që në qytetin e Kuçovës termometri këto ditë ka arritur në 41 gradë celsius, për shkak të puseve të naftës.