Dhjetra protestues janë përplasur me policinë në Dibër mbrëmjen e sotme. Protestuesit tentuan të hynin me forcë në KZAZ-në numër 19, në shkollën e mesme “Nazmi Rushiti”, në Peshkopi, për shkatërrimin e materialeve zgjedhore, me qëllim bllokimin e procesit zgjedhor të 30 Qershorit.
Gjatë përplasjeve, policia ka hedhur me shumicë gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët tentonin me çdo kusht të çanin kordonin e policisë dhe të futen brenda ambienteve të KZAZ. Ndërkohë, mësohet se pas goditjes me gaz lotsjellës, protestuesit janë edhe më të vendosur për të mos u larguar nga shkolla, duke thënë se do të protestojnë deri në orën 00:00.
“Do të rrimë këtu gjithë natën”, shprehen të revoltuar protestuesit.
Ndërkohë, që tensione të forta mes policisë dhe protestuesve janë shënuar edhe në KZAZ-të e Burrelit, Klosit e Bulqizës, ku pritet të protestohet edhe ditën e nesërme.