Policia e Korçës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi ata u kapën në dalje të Pogradecit me 56 emigrantë të paligjshëm në mjetin e tyre.
I arrestuar është shtetasi Altin Melani, 46 vjeç nga Durrësi, ndërsa personi i shpallur në kërkim është Elvis Hoxha, 36 vjeç, banues në fshatin Hotolisht, Librazhd.
Shërbimet e policisë rrugore, kanë kapur në dalje të qytetit të Pogradecit, shtetasin A. M., duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip furgon të markës “Benz” në pronësi të shtetasit E. H., 56 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Prej kohësh tashmë qarku i Korçës është kthyer në pikë kyçe për emigrantët të cilët vijnë kryesisht nga kufiri me Greqinë dhe kërkojnë nga trafikantët kalim për në vendet e BE-së.
Njoftimi:
Qarku Korçë
Vijon operacioni policor “Perimetri”.
U kap duke transportuar 56 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Shërbimet për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 46 vjeç, banues në Durrës dhe u shpall në kërkim shtetasi E. H., 36 vjeç, banues në fshatin Hotolisht, Librazhd.
Shërbimet e policisë rrugore, kanë kapur në dalje të qytetit të Pogradecit, shtetasin A. M., duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip furgon të markës “Benz” në pronësi të shtetasit E. H., 56 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.
(E.H/Faxweb.al)