Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje për djalin e Azem Hajdarit dhe mikun e tij Ergi Gjumsi. Azem Hajdari (junior) u arrestua pak ditë më parë në aksin Elbasan- Metalurgji ku iu gjet një sasi prej 8.8 gramë lëndë narkotike hashash e sekuestruar nga policia e Elbasanit. Ai shoqërohej nga miku i tij Ergi Gjumsi dhe një vajzë , ndërsa destinacion mësohet se do të kishin Pogradecin ku do të kalonin fundjavën. Vec sasisë së lëndës të gjetur në mjet në një cantë, nje cigare me përmbajtje hashash mësohet se Hajdari ka pasur edhe në xhepin e pantallonave.
Për shkak se Azem Hajdari, është në vitin e fundit të shkollës dhe për shkak se ende, prokuroria nuk është njohur me rezultatet e akteve të ekspertimit-biologjik, prokurori Ritvan Sukaj ka kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg” me afat 1 mujor. Por pasi u njoh me materialet gjyqtari Taulant Tafa vendosi një masë më të zbutur atë të detyrim për paraqitje.
Në fakt ishin përgjimet ambientale të cilat rënduan pozitat e djalit të ish-gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari. Përgjimet zbuluan se sasia prej 8.8 gramë lëndë narkotike hashash e sekuestruar nga policia e Elbasanit, i përket Azem Hajdarit.
Pavarësisht se Azem Hajdari në momentin e shoqërimit ra në ujdi me shokun e tij, Ergi Gjumsi, për të marrë ai përsipër posedimin e lëndës narkotike, hileja e Hajdarit është zbuluar nga policia, pasi kjo bisedë mes dy shokëve është përgjuar nga oficerët e policisë.
Fillimisht Hajdari ka pohuar se nuk është përdorues i ndonjë lëndë narkotike. Ka treguar në polici se më datë 23 korrik 2021, ka shkuar në shtëpinë e shokun të tij, Ergi Gjumsi, për t’u nisur për Pogradec. Para se të nisej, i ka marrë një palë tuta dhe një bluzë, të cilat i kishte veshur.
Kur kanë mbërritur në Elbasan, ai deklaron se janë ndaluar nga punonjësit e policisë dhe në xhepin e tutave, që kishte veshur i kanë gjetur një cigare të dredhur, për të cilët punonjësit e policisë i kanë thënë se dyshonin që ishte me lëndë narkotike cannabis-sattiva.
Hajdari ka deklaruar se tutat i’a kishte marrë Ergit dhe se nuk kishte dijeni se çfarë kishte në xhepat e tutave dhe as në çantën që i përkiste Ergit.
Dëshmia e shokut
Ndërsa Ergi Gjumshi, në dëshminë e tij ka marrë përsipër pronësinë e drogës duke deklaruar se: “…jam përdorues i kësaj lënde narkotike prej disa vitesh dhe për herë të fundit kam konsumuar ditën e djeshme. Lëndën narkotike deklaroj se e kam blerë atë ditë te një person të cilin nuk e njoh, në afërsi të vendit të quajtur “Parku i autobuzave” në qytetin e Tiranës. Lidhur me dozat e gjetura unë deklaroj se kam blerë pesë cope me qëllim për ti konsumuar gjatë pushimeve verore…”.
Nga veprimet e kryera në lidhje me këtë procedim penal rezulton se çanta ku është gjetur lënda narkotike i përket personit të arrestuar Azem Hajdari, pasi në këtë çantë gjendet dhe fatura e parkimit të mjetit me të cilin ai së bashku me të dashurën e tij kanë qenë te një lokal me datë 18 korrik 2021.
Po kështu përgjimi ambiental në qeli zbuloi bisedat mes njëri-tjetrit mes Azem Hajdarit dhe Ergi Gjumshit ku thuhet se sasinë e lëndës narkotike të gjetur dhe sekuestruar në mjet, ta marrë përsipër Ergi Gjumshi.