Gjykata e Posaçme ka vendosur masat e sigurisë “arrest me burg” për 14 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Shpirti”.
Gjithashtu, Gjykata e Posaçme vendosi “arrest shtëpie” për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota dhe 3 të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafik droge, Ilir Balla, Luan Zylyftari, dhe Artur Krasniqi.
Nje nga te arrestuarit eshte edhe ish-nënkomisari i policisë së Fierit, Festim Lelaj, per te cilin GJKKO caktoi masen e sigurisë “arrest me burg” në ambientet e spitalit të Traumës. Lelaj u hodh nga kati i dytë i banesës, sapo pa efektivët e policisë diten e arrestimit. Për pasojë, ai ka pësuar fraktura në këmbë, por pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është dërguar drejt Tiranës.
“Kujtojmë se ky operacion u ndërmorr ditën e premte nga anti-mafia italiane dhe SPAK për goditjen e krimit të organizuar. Kujtojmë se në kuadër të këtij operacioni janë shpallur në kërkim dhe dy ish-shoqeruasit e ish-Ministrit Sajmir Tahiri. Sipas dëshmive të katër të penduarve të drejtësisë, dy ish-shoqeruasit e Tahirit kanë trafikuar tonelata me drogë drejt Italisë. Njëri nga ish-shoqeruesit kishte dhe parcelat me drogë në Tepelenë ku dhe kishte punësuar njerëz me 15-20 euro në ditë.
Bëhet fjalë për Agustin Dedën, i cili ksihte dhe lidhjet me policinë. Sipas dosjeve, dy ish-shoqeruesit e Tahirit kanë qenë prezentë gjatë trafikimit të një ngarkese prej 850 kg lëndë narkotike, për të cilën kanë ndihmuar përmes lidhjeve të tyre trafikantët që ta kishin më të lehtë. Sipas dosjes, njëri nga trafikantët i paguante qiranë prokurorit Sota dhe i kërkonte ndërhyrjen e tij kur kishte probleme me drejtësinë. Në kërkim për këtë dosje janë dhe 10 persona të tjerë. Janë ekzekutuar vetëm 18 nga 28 masat e arrestit,” raportoi gazetari i Fax News, Elvis Myrta.
Rikujtojmë se ditën e premte anti-mafia italiane dhe SPAK njoftuan goditjen e disa grupeve kriminale që merreshin me trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë. 28 urdhër arreste u firmosën nga SPAK.
Për 14 prej tyre SPAK kërkonte “arrest me burg”, ndërsa për katër prej tyre, përfshirë prokurorin Sota, spak kërkoi “arrest shtëpie”. 10 nga personat e përfshirë në këtë dosje janë shpallur në kërkim, mes të cilëve dy ish-shoqeruesit e Sajmir Tahirit, konkretisht Agustin Deda dhe Hekuran Marku.
Dy ish-shoqeruesit e Sajmir Tahirit dyshohet se kishin rol kryesor ne trafikimin e tonelatave lende narkotike nga Shqiperia drejt Italise, duke i lehtesuar punen trafikanteve permes lidhjeve te tyre ne Polici.
(E.H/Faxweb.al)