Damian Gjiknuri është larguar në mënyrë të papritur nga mbledhja në Këshillin Politik, dhe pas tij janë larguar dhe Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, me pretendimin se do të konsultohen me partitë e tyre.
Gjiknuri do të takohet me kryeministrin Edi Rama bëjnë me dije burimet, ndërsa Bylykbashi dhe Vasili i janë drejtuar selisë blu, ku do të takohen me Bashën.
Gjatë ditëve të fundit 4 anëtarët e Këshillit Politik dhe ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe kanë zhvilluar takime të shpeshta mes tyre, por ende nuk ka një marrëveshje finale për Reformën Zgjedhore që do të duhej të ishte mbullur që në datën 31 Maj.
Pas takimit të sotëm mes palëve, ambasadorja amerikane ka paralajmëruar një deklaratë për mediat ashtu si dje, ku tha se ishte bërë progres, por marrëveshja ende nuk ishte gati. Dy janë pikat më të nxehta mes palëve, e para ka të bëjë me identifikimin biometrik, ku shumica kërkoi që të jetë projekt pilot në 10% të vendit, ndërsa opozita e kërkon në të gjithë vendin, pasi sipas saj kjo ndihmon në shmangien e pretendimeve për cënim të procesit.
Edhe pse nuk e kanë pranuar publikisht, palët duket se e kanë gjetur konsensusin për ta shtrirë në të gjithë vendin. Tashmë problem mbetet depolitizimi i administratës zgjedhore. Shumica kërkon që depolitizimi të jetë i plotë, ndërsa opozita është për një sistem miks, që në komisione politika të ketë sytë dhe veshët e saj. Nga ana tjetër duket se opozita ka hequr dorë nga ideja e saj fillestare për qeverinë kujdestare gjashtë muaj para zgjedhjeve. (E.K/Faxweb.al)