Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lushnjen mëngjesin e sotëm, pasi Kastriot dhe Afrim Hasalla kanë vrarë me armë zjarri kushëririn e tyre, Romeo Hasallën, pas një konflikti pronësie.
Mbrëmjen e sotme, Policia e Lushnjes bëri me dije se ka arrestuar Afrim Hasallën bashkë me djalin e vëllait, 20-vjeçari Marjus Hasalla, kurse Kastriot Hasalla është në kërkim.
Nga të shtënat me armë që ndodhen mëngjesin e sotëm të plagosur po ashtu kanë mbetur shtetasit Shaip, Emiljano dhe Laert Hasalla (babai dhe vëllezërit e viktimës), ndërsa konflikti me armë ka ndodhur pranë tokave bujqësore.
Romeo Hasalla kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur nga Greqia dhe ishte baba i dy fëmijëve. Familjet ishin në konflikt të vjetër për pronën teksa rezulton se viktima me autorët ishin kushërinj të largët.
Njoftimi:
Lushnjë
Kapen dhe vihen në pranga dy nga autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm në Garunjas të Lushnjës.
Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit tjetër të shpalluar në kërkim.
Strukturat hetimore të DVP Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë është bërë arrestimi i tyre për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H.
Konflikt për pronat mes të afërmve në Lushnje, 1 i vrarë dhe 3 të plagosur (Emrat)
(E.H/Faxweb.al)