I akuzuari për vrasjen e komisariatit Dritan Lamaj, Arben Frroku, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme, ti llogaritet edhe koha e paraburgimit që ka qëndruar në Greqi kur u kap në vitin 2013. Kërkesa po shqyrtohet nga gjyqtari Klodian Kurushi, bëjnë me dije burimet për Faxweb.al.
Frroku u dënua nga ish Apeli i Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm, por ky dënim u konvertua me 18 vite burg në Holandë. Kujtojmë se shteti Hollandez, refuzoi kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Kush është Frroku dhe lidhja e tij me vrasjen e kryekomisarit Lamaj
Ish-shefi i komisariatit numër 6 në kryeqytet, Dritan Lamaj u ekzekua në vitin 2013 në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, ku dy persona i kanë bërë pritë kryekomisar Lamajt. Ai ka qenë dukë udhëtuar në mjetit e tij dhe po shkonte drejt shtëpisë dhe në mometin që ka zbritur nga makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Lamaj ishte kryekomisari i tretë i vrarë në harkun e pesë muajve të 2013, pas Adem Tahirajt në Shijak dhe Musa Skurës në Burrel. Për gjetjen e autorëve Policia deklaroi në atë kohë një shumë prej 100 mijë dollarësh. Dyshimet se autori ishte Arben Frroku u përforcuan me prova dhe më 25 shkurt ai u arrestua në Greqi, pas dyshimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda se ishte i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ai u arrestua së bashku me shtetasin Jak Jaku.
Pas qëndrimit në një masë sigurie izoluese në këtë vend në 7 qershor 2013, Gjykata e Lartë greke vendosi ekstradimin e Frrokut në Shqipëri. Ky vendim u ekzekutua në nëntor të këtij viti, kur Frroku mbërriti në vendin tonë. Në 10 nëntor 2013, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, vendim që u la në fuqi në Apelin e Krimeve të Rënda.
Pas dy vjetësh në qeli, për habinë e të gjithëve Arben Frroku në fillim të muajit prill të 2015 shpallet i pafajshëm dhe lirohet nga burgu, pas një vendimi të Gjykatësit të krimeve të Rënda Dritan Hallunaj, edhe pse prokuroria kërkoi atëherë dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Pasi çështja kaloi në rigjykim Frrkoku mori dënimin me burgim të përjetshëm, por tashmë ai ishte larguar nga Shqipëria, dhe do të vuajë dënimin e tij në Holandë, i cili iu konvertua në 18 vite burg.
(E.K/Faxweb.al)