Efektivët e RENEA-s kanë arrestuar sot në banesën e tij Endrik Llukën ne Shtëpëz të Gjirokastrës pasi akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij dhe plagosjen e të vëllait për një borxh prej 500 mijë lekësh në mars te vitit 2016.
Në banesë Llukës iu gjet një pistoletë dhe një snajper. Fillimisht RENEA ka rrethuar zonën ndërsa i dyshuari është kapur në befasi brenda banesës së tij.
Vrasja për një borxh
Ngjarja e rëndë ndodhi në mars të vitit 2016 pas konfliktit për një borxh rreth 500 mijë lekë që autori u kishte dy vëllezërve Lluka, Dorianit dhe Bilbilit kushërinj me të. Krimi ndodhi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë ndërsa 2 miq të autorit ishin dhe dëshmitarë të vrasjes dhe plagosjes së dy vëllezërve. Asokohe ranë në pranga Emiliano Vocka dhe Samuel Jaçe, 29 vjeç.
Por si Jaçe, edhe Vocka mohuan që të kenë qenë prezentë në momentin e krimit. Kjo ka bërë që grupi hetimor të nxjerrë konkluzionet paraprake për ngjarjen, në bazë të dëshmive nga familjarë dhe të njohur të palëve në konflikt. Fillimisht u dha si pistë kryesore ajo e një konflikti pronësie, por duket se krimi kishte të bënte me një shumë parash të pakthyera.
Nga të dhënat rezulton se dy vëllezërit Lluka kanë qenë të parët, të cilët kanë provokuar konfliktin. Në kryqëzimin që ndan aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë me fshatin Humelicë në perëndim dhe fshatin Andon Poci në lindje, ata janë ndeshur me Endrik Llukën.
Të dyja palët ndodheshin me makina. Në moment, pasi kanë ndaluar, dy vëllezërit dyshohet se i kanë kërkuar paratë e borxhit Endrik Llukës.
Në debat e sipër, dy vëllezërit akuzohen se e kanë kërcënuar me thikë 28- vjeçarin. Ky i fundit ka mundur t’u shpëtojë nga duart dy vëllezërve dhe ka hyrë brenda në makinën e tij, nga pjesa e pasagjerit, ku ka rrëmbyer pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të vëllezërve.
Këta të fundit gjendeshin ngjitur me makinën e Endrikut dhe aty ngelën të gjakosur.
Policia konfirmon se makina e zezë “Benz” e gjetur në vendngjarje është e autorit të krimit. Ndërsa dy vëllezërit kanë qenë me një tjetër mjet, me të cilin dikush i ka transportuar drejt spitalit. Ngelet mister se kush ka qenë personi që ka marrë nën kontroll makinën e viktimave duke i shoqëruar ata në gjendje të rëndë drejt spitalit të Gjirokastrës.
Endrik Lluka prej më shumë se 3 vitesh e gjysmë ndodhej në arrati, duke u prangosur sot nga forcat RENEA, ndërsa burime për Faxweb.al bëjnë me dije se iu gjetën në banesë një pistoletë dhe një snajper.