Pronari i resortit në Porto Palermo, Himarë, Mihal Kokëdhima ka dalë para Gjykatës ditën e sotme për t’u njohur me masën që do të japë kjo e fundit për ngjarjen e ndodhur ditët e fundit.
Kokëdhima ka folur lidhur me pamjet skandaloze dhe të frikshme të përhapura gjerësisht nëpër media që prej ditës së djeshme, ku u është sulur mbi xhamin e makinës disa turistëve spanjollë që ishin larguar nga restoranti i tij pa paguar faturën.
Kokëdhima ka dëshmuar se nuk ka ushtruar dhunë mbi asnjërin prej personave që udhëtonin në mjetin ku pronari i resortit u kacavjerr për t’i ndaluar turistët.
Ai argumenton se përpara se ta bënte atë veprim, ka tentuar të njoftojë Policinë por që pretendon se nuk i është përgjigjur në telefon.
Kokëdhima shprehet se ka qenë iu paarmatosur dhe se vetëm një celular kishte me vete, ndërsa ka ngulmuar se e gjithë jehona që i është dhënë ngjarjes ka prapavijë politike.
Pjesë nga dëshmia e Mihal Kokëdhimës:
“Mora ne telefon policine sepse iken pa paguar, e kam te faktuar, Policia nuk u pergjigje. U dola para, me qelluan me furgon, nuk doja t’i lija te iknin. Me kane terhequr zvarr. Mezi po mbahesha te makina. Cfare te beja une, makina ishte ne ecje, po te hidhesha do vritesha, u kerkoja te ndalonin. Cfare do tu beja une atyre? Ata ishin 8 veta, nuk kisha asnje arme te ftohte asgje. Kam pasur vetem telefonin me vete.
Isha ne punen time, me kane bere sikur jam kriminel. Asnjerin nga ata nuk e kam prekur me dore. Asnje. Doja vetem leket e mia. Ma kane kthyer ceshtjen politike. Po me bejne gjyq publik”, tha Kokëdhima.
Ndërkohë mësohet se pala mbrojtëse ka kërkuar vendosjen e garancisë pasurore dhe ndjekje në gjendje të lirë të pronarit të resortit.
Pamjet e tmerrshme të dhunimit të turistëve spanjollë nga pronari i lokalit “Panorama” Mihal Kokëdhima kanë bërë xhiron e rrjetit tashmë.
Ndërkohë lokali i Kokëdhimës në Porto Palermo të Himarës, po i nënshtrohet verifikimit të dokumentacionit nëse është korrekt me ligjin ose jo.
Policia, pasi arrestoi 51 vjeçarin Kokëdhima, sepse akuzohet që dhunoi turistët spanjollë pas konfliktit për peshkun në restorantin e tij, e ka bllokuar aktivitetin në këtë ambient, e po verifikohet nëse pronari e ka regjistruar si aktivitet dhe nëse i paguan apo jo detyrimet në shtet.
Restoranti “Panorama” ndërtuar buzë detit në Porto Palermo, rezulton të jetë pa leje. Restoranti mund të shembet këto ditë, për shkak të mungesës së dokumentacionit.
Policia dhe autoritetet përkatëse janë duke shqyrtuar dokumentacionin ligjor të lokalit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)