Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka mbledhur mëngjesin e sotëm krerët më të lartë të policisë, në drejtorinë e policisë së Tiranës, e cila ka në dorë dosjen hetimore sa i përket grabitjes së Rinasit, ka mbërritur edhe identifikimi i dy personave që dyshohen si autorë të supergrabitjes.
Identiteti i njërit nga personat ende nuk është bërë i ditur, ndërsa identiteti i personit tjetër, sipas policisë, është Klement Çala, 31 vjeç nga Elbasani.
31-vjeçari është i njohur nga policia, pasi është shpallur në kërkim në vitin 2017, atëherë kur u goditën blindat me para.
Në atë kohë, Çala dhe Murataj, arritën t’i shpëtonin policisë, dhe duket se e kanë vijuar planin e tyre të grabitjeve.
E shkuara e Klement Çalës:
Klement Çala, i biri i Pëllumb dhe Elida Çalës, i datëlindjes 10 qershor 1988, nga Elbasani është një emër i njohur sidomos pas grabitjes së famshme të Bankës Kombëtare Greke në qendër të qytetit të Larisës.
I arratisur nga burgu i Trikallas në 22 mars 2013, si pjesëtar i grupit prej 11 personash të Marjan Kolës, Klement Çala, u shpall menjëherë në kërkim nga policia greke.
Rreth orës 8:40 në mëngjesin e së enjtes të 16 majit 2013, Çala së bashku me një person tjetër, të dhënat e të cilit ende nuk dihen, kanë hyrë fillimisht si klientë në bankë dhe më pas nën kërcënimin e armëve të tipit Kallashnikov kanë grabitur rreth 1 milion euro. Ata kanë ikur nga vendi i ngjarjes përmes një dritareje.
Pak orë pas grabitjes është gjetur një makinë e djegur në zonën e Larisës, e cila ishte raportuar si e vjedhur që prej 17 tetorit, të 2011 në Athinë. Skenari duket i ngjashëm me grabitjet e transfertave bankare Tiranë-Rinas gjatë dy viteve të fundit.
Çala ishte identifikuar si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë. Policia greke kishte gjetur gjurmë ADN-je të Klement Çalës në furgonin e bardhë të vjedhur në Korinth, me të cilin të arratisurit nga burgu i Trikalasë kishin tentuar t’i shpëtonin arrestimit.
Më 29 qershor 2015, Klement Çala, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia e Vlorës. Policia lokale finalizoi me sukses operacionin “Streha e fundit”, ku u bë i mundur arrestimi i 29-vjeçarit Çala banues në Elbasan, si edhe i 31-vjeçarit Alkond Bengasi, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim kombëtar.
Në momentin e ndalimit Çala po lëvizte në lagjen “24 maji” me automjetin e tij tip “Benz” me targë, AA 447 KO. Ai ruajti gjakftohtësinë dhe tentoi t’i shmangej arrestimit duke u paraqitur me emrin Semir Koca. Për këtë identitet ai dispononte edhe një pasaportë dhe një kartë identiteti, që i përkisnin Republikës së Kosovës. Pas verifikimeve me policinë e Kosovës rezultoi se ishte identitet i rremë.
Përveç akuzave të autoriteteve greke që e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për për vepra penale, pjesmarrje në organizatë kriminale, mbajtje armësh dhe e materialeve shpërthyese, grabitje me armë, vrasje dhe vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë etj, Çalës iu shtuan dhe akuzat e reja pas arrestimit nga policia e Vlorës.
Personi i dytë i arrestuar, i cili fshihej në banesën e marrë me qira nga Klement Çala është Alkond Bengasi, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në përfundim të operacionit, u sekuestruan një armë zjarri, tip “Pistoletë TT, dy krehër të mbushura me fishekë, një pasaportë dhe një kartë identiteti të falsifikuara me identitet të Republikës së Kosovës. Një automjet tip “Benz” me targë: AA447KO që i përkiste shtetasit Klement Çala.
Nuk dihen ende rrethanat, por pas vetëm tre muajsh Çala është liruar nga burgu ndërsa për të ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti. Grupi hetimor që po heton grabitjen e 9 shkurtit, është duke kërkuar prova për faktin se si mundi, Klement Çala të dilte nga burgu duke patur një numër kaq të madh akuzash mbi shpinë.
Më 16 dhjetor 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur dosjen hetimore dhe ka dërguar për gjykim një nga të arratisurit nga burgu i Trikallas në Greqi në mars të vitit 2013, si pjesë e grupit të Marjan Kolës.
Shtetasi Klement Çala akuzohet për disa vepra penale, si ajo e “vrasjes me dashje të punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, dy herë, si edhe për veprat penale të krijimit të organizatës kriminale, largimit nga burgu dhe armëmbajtje pa leje”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri, së bashku me disa të burgosur të tjerë, ndër të cilët Ilir Kupa dhe Fatos Sulaj, të dënuar tashmë në Shqipëri për këtë ngjarje, kanë organizuar dhe realizuar arratisjen nga burgu dhe kanë tentuar të vrasin dy prej policëve roje të atij institucioni.
(E.K/FAXWEB.AL)