Në një kohë kur na ndajnë edhe katër ditë nga zgjedhjet e së dielës, burime nga PD bëjnë me dije se opozita do të vijojë protestat.
Të dielën pritet që të ketë protesta pranë KZAZ-ve dhe në sheshet qendrore, duke lënë të kuptohet se në Qendrat e Votimit nuk do të afrohet askush.
Sinjalet për tërheqjen nga aktet e dhunës u dhanë prej pasdites së djeshme nga kryedemokrati Basha, i cili në artikulimin e tij kaloi nga bllokimi i votimeve, te kërkesa ndaj qytetarëve për bojkotimin e tyre.
“Ditët e ardhshme, duke kulmuar me 30 Qershor dhe pas kësaj date, do të jenë ditë protestash në të gjithë vendin. Opozita dhe qytetarët do të protestojnë në të 61 bashkitë e vendit në mbrojtje të demokracisë dhe rendit kushtetues dhe kundër farsës së votimeve të paligjshme.
Në bashkëpunim me Aleancën Qytetare në Mbrojtje të Demokracisë, Partia Demokratike dhe aleatët e Opozitës së Bashkuar kanë njoftuar protesta në të gjitha bashkitë kundër votimeve njëpartiake, në kundërshtim me Kushtetutën. Protestat vene ne dukje bashkepunimin e Edi Ramës me bandat e drogës dhe krimit të organizuar.
Protestat do të shtrihen në të gjithë vendin dhe sipas informacioneve do të zhvillohen në sheshe qendrore dhe pranë KZAZ-ve”, njoftojnë burimet.
(E.K/Faxweb.al)