Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame i është përgjigjur ish-ministrit Ylli Manjanit, pas statusit të këtij të fundit ku i kërkonte të shpjegonte se pse vendosi të shkrijë zyrën në qytetin e Beratit.
Lame i thotë Manjanit se 80-vjeçarja që bëri denoncimin ndaj drejtorit të ALUIZNIT në Berat, nuk ishte aspak mediatike ndërsa sqaron se drejtoria e Beratit ishte e prapambetur në procesin e legalizimeve.
“Ylli,
Plaka nuk ishte mediatike, përkundër, e bënë mediatike, se ishte çështje në interes të të gjithëve. Plaka nuk na bëri çorap, përkundër, vuri në dukje vrimat në çorapet e shtetit.
Dhe po i deshe vrimat, ca t’i them unë.
Drejtoria Berat është nga më të prapambeturat në procesin e legalizimeve. Arsyet janë shumë, por drejtoria e atjeshme pagoi për kusuret e veta.
Drejtoria Berat përgjatë vitit 2017 ka marrë disa vërejtje në performancën mujore që bëhet me të gjithë drejtorët. Po s’më besove mua, pyet cilindo prej drejtorëve të tjerë të ta thojë.
Drejtoria Berat ka probleme bashkëpunimi edhe me një sërë institucionesh të tjera që nuk funksionojnë, ndër të cilat fort edhe zyra e Hipotekës dhe këtu s’ke nevojë për dëshmitarë, se jemi marrë bashkë ne të dy që ta ndreqnim atë punë e atë zyrë, e dot se ndreqëm.
Dhe siç e kemi thënë bashkarisht sa e sa herë, çorapet e administratës janë plot vrima që duhen zënë njëra pas tjetrës që të ecë siç duhet.”, reagon Lame.
Kujtojmë se një ditë më parë, Manjani reagoi mjaft ashpër ndaj vendimit të Ramës për të shkarkuar drejtorin e ALUIZNIT në Berat, pas denoncimit të një të moshuarve, por më shumë për shkrirjen e zyrës.
“Mirë me drejtor mavrinë, po me zyrën e ALUIZNI-t ç’pate o Lame?! Ju bëri çorap plaka mediatike, ndërkohë komshinjtë e saj ulërasin nga padrejtësia” shkruante Manjani. (D.D/Shuplaka)