Sipas të dhënave nga qarqet brenda CDU-së, kancelarja Angela Merkel nuk do të kandidojë më në kongresin e partisë në dhjetor. Por ajo do të qëndrojë në postin e kancelares gjermane.
Pas dështimit të CDU-së në zgjedhjet e Hessenit, ku partia konservatore megjithëse doli forca kryesore pësoi humbje të ndjeshme dyshifrore, kancelarja Merkel nuk do të kandidojë më si kryetare e partisë kristiandemokrate, CDU në kongresinë e partisë në dhjetor në Hamburg. Këtë e bëjnë të ditur agjencitë gjermane të lajmeve duke iu referuar qarqeve brenda partisë.
Këtë vendim Merkel ua ka bërë të ditur politikanëve kryesorë të CDU-së gjatë një mbledhjeje të presidiumit. Megjithatë ajo do të qëndrojë në postin e kancelares gjermane. Merkel kryesoi prej 18 vitesh partinë konservatore, CDU, dhe prej 13 vitesh është kancelare e Gjermanisë./DW