Ditën e sotme në Muzeun Historik Kombëtar, familjarët, miqtë, artistët por edhe politika i dhanë lamtumirën, artistit të madh Mirush Kabashi.
Nga ora 10:00 deri në orën 13:00 u mbajtën homazhet për një prej figurave më të dashura për publikun shqiptar, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Më pas u përcoll drejt banesës së fundit.
Vajza e tij, artistë të njohur, dashamirës të artit të tij kanë dhënë mesazhe për kontributin e paçmuar në teatër e kinematografi, por dhe si interpretues i shkëlqyer i poezisë shqiptare.
Kush ishte Mirush Kabashi?
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.
Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”. Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Ndonëse komedia dhe satira e bënë të njohur, në thesarin që i lë kulturës shqiptare me interpretimet e tij nuk do të harrohen vargjet poetike që përbashkonin Kosovën nga ku kishte rrënjët dhe Shqipërinë ku jetoi artistikisht e fizikisht.
Vitet e fundit u kujdes që në daljet televizive, në aktivitetet ku ishte i ftuar, të përcillte edhe monologë për shoqërinë. Mesazheve përbashkuese i përgjigjet misioni i tij për të gjetur të zhdukurit në diktaturë, për të treguar fatin e artistit në Shqipërinë e sotme, për një shoqëri më pak të korruptuar, për më pak gabime nga e shkuara e për më shumë të vërteta e humanizëm.