Iu dha dje lamtumira e fundit Kasem Hysenbelli, themeluesit dhe presidentit të televizionit Fax News, simbol i fjalë së lire, në një kohë kur kjo e fundit ishte gjëja më e vështirë për t’u bërë. E diela e 6 dhjetorit të 2020 do të mbahet mend si dita kur trupi i pajetë i misionarit të fjalës së lirë do të prehet përgjithmonë në banesën e përjetësisë.
Homazhet u zhvilluan pranë banesës së tij deri në orën 10:00 të mëngjesit të së dielës, ku nga dhe u përcoll në udhtimin e tij të fundit nga familjarë, miq, dashamirës, artistë, personalitetet të politikës.
Mëngjesi i kësaj të diele ishte i trishtë dhe i zbrazët për stafin e Fax News dhe Faxweb, të cilët në nder të kujtimit vlerësuan me duartrokitje punën e tij të palodhur, vëcanërisht në këto 3 vitet e fundit në përçimin e të vërtetës.
I cilësuar jo rrallë herë si një ndër gardianët e lirisë nga ata që patën fatin të njihnin dhe shihnin punën e tij, Kasem Hysenbelli do të mbahet mend për vizionin e tij në shërbim të qytetarit të halleve, atij të thjeshtë.
“Kasemi ishte shok, mik, vëlla, asnjëherë nuk e përziente drejtorin me shokun”.
“Asnjëherë nuk më tërhoqi vërejtjen, asnjëherë nuk më tha Erjon çfarë po bën, është një nga arsyet se pse unë jam prej 12 vitesh në News 24. Më thoshte thuaj të vërtetën dhe shefi të do fort”, u shpreh gazetari Erjon Skëndaj.
“Drejtorin do ta kujtojmë si njeriun që sfidonte, përballej, dhe jepte më të mirën e mundshme, sidomos u jepte mundësinë të rinjve që të ecnin përpara”, shprehet gazetarja Klodiana Lala e cila shton se sot dhimbja për familjen Hysenbelli është mjaft e madhe.
Dhimbja do të ishte e më e madhe për familjarët e tij, të cilët i dhanë përshëndetjet e fundit me zotimin për të çuar para ëndrrën e tij. Ndarja e parakohshme dhe e papritur e nga jeta ka sjellë dhe reagimet e shumë gazetarëve, personaliteteve, miqve e kolegëve e ish-kolegëve, si dhe të figurave të politikës, të cilët gëzonin respekt për guximin dhe këmbënguljen e tij në tregun mediatik.
Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu u shpreh se e gjithë familja e tij do të jenë një mbështetje që projekti i lënë në gjysmë nga presidenti, Fax News dhe Faxweb të ecin përpara, duke mos kursyer asgjë në arritjen e suksesit të tyre.
“Projektin që ka nisur Kasemi, unë familja ime dhe vëllezërit do ti mbështesim fort dy fëmijët e tij, dhe gruas do ti qendrojmë në krah, dhe projektin që ka nisur ai do ta çojmë përpara me mbështetje, më mirë se projektet që kam nisur vetë”, ishte zotimi i Irfan Hysenbelliut.
“Kasemi ishte jo vetëm një drejtues i palodhur por edhe një mbështetje e pakursyer profesionale dhe njerëzore. Fax News dhe Faxweb ishin projekti i jetës së tij, dhe ndaj tyre ai u përkushtua i udhëhequr nga përvoja”, u shpreh Robert Rakipllari.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se presidenti i Fax News ka promovuar gjithnjë djem dhe vajza të rinj, ndërsa për fëmijët e tij tha se duhet të qendrojnë me kokën lart, pasi shembulli që ai u ka lënë është i jashtëzakonshëm.
“Është munduar që të promovojë çuna dhe goca të rinj që nuk i njihte askush, i nxori në ekran, i bëri me reputacion, i promovoi, edhe do ta mbaj gjithmonë mend si ai takimi i fundit, optimist dhe i palëkundur. Fëmijët të gjejnë forcën për të qendruar me kokën lart, pasi babai i tyre u la një reputacion të jashtëzakonshëm, jam i bindur që do të kenë gjithnjë një dritë për të ecur përpara në jetën e tyre”, tha kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Kasem Hysenbelliu, presidenti i televizionit Fax News dhe ish-drejtues i grupit mediatik News24, Balkanweb, Gazeta Shqiptare, Radio RASH dhe gazetës “Panorama” u nda nga jeta mëngjesin e 5 dhjetorit në spitalin “Medical Park Florya” në Stamboll, në moshën 59 vjecare, pasi humbi betejën me covid-19.
Hysenbelliu ishte arkitetkti dhe ideatori i televizionit ‘Fax News’ që nga tetori 2017, i cili e ngriti në piedestal rëndësinë e fjalës së lirë dhe përcimin pa censurë të informacionit, i cili gjeti mbështetjen e një audience të gjerë.
Fax News ishte realizimi i ëndrrës së Kasem Hysenbellit, i cili nuk pranoi asnjë kompromis. Fax NEWS zotohet se do të do të vazhdojë ëndrrën e tij për një media të lirë dhe të pavarur –pranë halleve dhe problemeve të qytetarëve. Misioni ynë vazhdon…
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post