Në mandatin e dytë qeverisës, kryeministri Edi Rama vendosi të bënte një shkrirje mes Ministrisë së Integrimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndërkohë që Ministria e Integrimit Europian nuk ka më një faqe zyrtare në Facebook, Ministria e Punëve të Jashtme sapo ka marrë emërtimin e ri.
Mirëpo punonjësit e PR-it të ministrisë duket se kanë pak probleme me shqipen, pasi e kanë vënë gabim emërtimin e Ministrisë.
Emri është ndërruar në “Ministria e Europës dhe Punët e Jashtme”, mirëpo shqipja nuk na e lejon një përdorim të tillë.
Duhet të ishte shkruar ashtu sikurse është lajmëruar edhe më parë “Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme”, ose “Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme”. E kuptoni dallimin?
Megjithatë edhe nga këto dy emërtime, i saktë do të ishte i pari, pasi nuk mund të kemi një ministri që quhet “ Ministria e Europës”, kur bëhet fjalë për një ministri në Shqipëri. Por punonjësit e PR-it duket se nuk e kanë menduar shumë gjatë këtë.(D.D/Shuplaka)