Të ftuar në emisionin “Pushteti” në “Fax News”, Fatbardh Kadilli dhe Aleksandër Çipa kanë komentuar lëvizjet e Ramës në qeveri, ku padyshim sipas tyre Ahmetaj u largua me qëllim rregullimin e imazhit publik të socialistëve.
Kadilli u shpreh se Rama vazhdon të theksojë bindjen se ministret gra janë më pak të korruptuara, ndërsa Çipa e lidhi lëvizjen e kryeministrit me ndryshimet e vrullshme që po ndodhin në kampin opozitar.
Fatbardh Kadilli: Jam i bindur që pjesë e vendimit të Ramës jashtë qeverisë, është edhe për shkak të imazhit që Arben Ahmetaj ka pasur në publik. Ka pasur akuza të vazhdueshme për korrupsion, ka një preferencë në rritje për politikanet femra, unë vetë e kujtoj zonjën Majlinda Dhuka që ka qenë bashkëpunëtore e tij në bashkinë e Tiranës.
Rama nuk duron që të ketë rrotull kundërshtarë, ata që kanë mbijetuar në Bashki dhe më pas në bashki janë ata që ose janë shumë të zotë, ose kanë duruar Ramën.
Aleksandër Çipa: Unë nuk mendoj se kanë qenë prioritetet ato që kanë ndikuar në vendimin e kryeministrit, largimi i Ahmetajt lidhet me aferën e inceneratorëve, qoftë edhe në aspektin e imazhit publik.
Arsyeja tjetër është e lidhur dhe me kontekstin paraelektoral në të cilën Rama ndodhet, struktura opozitare ka nisur aksionin e saj, dhe në përgjithësi priren drejt një aksioni veprues në opozitë. Berisha dhe Meta ende nuk e kanë shpalosur të plotë aksionin e tyre, Meta ka nevojë që të jetë më shumë se LSI, dhe për të çuar një mesazh te aleati tjetër i tij në opozitë.
(E.K/Faxweb.al)