Ish-deputeti i LSI Petrit Vasili, në një komunikatë për mediat ka komentuar largimet e padrejta të punonjësve nga puna, sipas Vasilit, vetëm për largime të padrejta, partiake, pa rregull, pa ligj, shteti shqiptar detyrohet të paguajë vetëm në 5 vite, 102 milionë euro.
Sipas ish-deputetit Vasili, kjo shumë e parave nuk është as më shumë e as më pak se sa 3 spitale të reja, janë minimumi 20 shkolla të reja, janë minimumi disa dhjetëra mijëra qytetarë që mund të marrin barna për të cilat paguajnë lekun e fundit nga xhepi apo hyjnë borxh lart e poshtë apo të gjithë familjarët mblidhen me solidaritet për ti mbajtur gjallë.
Deklarata për mediat, Petrit Vasili
Të nderuar qytetarë, jemi në komunikim së bashku, për të ndarë disa fakte tronditëse që janë provë e cila nuk ka nevojë për komente të gjata lidhur me një qeverisje të rrënuar, e cila sundon anë e mbanë vendin nën drejtimin e Edi Ramës.
Pikërisht të dhënat e komisionerit për mbikëqyrjen e shërbimit civil japin këto të dhëna tronditëse dhe po hyj drejt e në zemër të problemit.
Të nderuar qytetarë, vetëm për largime të padrejta, partiake, pa rregull, pa ligj, shteti shqiptar detyrohet të paguajë vetëm në 5 vite, 102 milionë euro. Këto para që janë as më shumë e as më pak se sa 3 spitale të reja, janë minimumi 20 shkolla të reja, janë minimumi disa dhjetëra mijëra qytetarë që mund të marrin barna për të cilat paguajnë lekun e fundit nga xhepi apo hyjnë borxh lart e poshtë apo të gjithë familjarët mblidhen me solidaritet për ti mbajtur gjallë. Ikin dhe shkojnë pikërisht për kapriçot e pushtetit dhe për të ndërtuar një administratë të korruptuar, të paaftë, ineficente dhe armike të qytetarit. Vetëm në vitin 2018, nga janari deri në dhjetor janë shpenzuar 13.8 milionë dollarë.
Pra afër 14 milionë dollarë kemi paguar në vitin që lamë pas vetëm për heqjet e vëniet e Rilindjes për të vënë militantët e saj në funksion të timonit dhe tepsisë së një kryeministri të çartur plotësisht, i cili nuk ka asgjë në mendje veçse rrëmbim pushteti dhe vendosje njerëzish të korruptuar. Këto shifra vit pas viti janë të tilla, njëra më e rëndë se tjetra.
Duke filluar që nga revanshi i vitit 2014, ku janë paguar plotë 32 milionë dollarë vetëm e vetëm për heqjet masive të bëra në administratë gjithkund anë e mbanë vendit dhe pushtimin e administratës nga njerëz të paaftë. Besoj që ky është një moment shumë i rëndë dhe këtu do të doja të kisha patjetër edhe vëmendje, në mënyrë të veçantë të përfaqësuesve të Bashkimit Europian në Tiranë, të cilët jo pak herë kanë duartrokitur në mënyrë të padrejtë, në mënyrë të pavërtetë gjoja ecurinë përpara të administratës publike dhe të zbatimit të ligjit të shërbimit civil.
I kujtoj shqiptarëve që Bashkimi Europian ka financuar plot 32 milionë euro për administratën publike dhe konsolidimin e saj. Pra 32 milionë euro nga taksapaguesit europian kanë ardhur në Shqipëri që Shqipëria të kishte një administratë efiçente, të pa korruptuar dhe profesionale, në mënyrë që qytetarëve në të gjitha nivelet ku ata marrin shërbime, që nga zyrat e shtetit, përfshirë këtu edhe elementët e tjera që përbëjnë jetën shoqërore të vendit, të shërbeheshin mirë, dhe jo vetëm në mënyrë profesionale, por edhe të pa korruptuar.
32 milionë euro të Bashkimit Europian, të më ndjekin qytetarët, po them që janë bërë thjesht dhe vetëm rrush e kumbulla. Janë rrëmbyer nga administrata e Edi Ramës nëpërmjet projekteve dhe programeve. Dhe çfarë kanë prodhuar në fund të ditës?
Qytetarë fiksojeni mirë në mëndje, 102 milionë dollarë kanë ikur nga financat e shtetit, pra spitalet, shërbimet shëndetësore, barna, shkolla, zyra, mundësi punësimi, investime në infrastrukturë, para të bollshme për të dëmshpërblyer në mënyrë korrekte banorët e Unazës së Re. Me bollka do të kryheshin të gjitha këto. Pra kjo hajdutëri e madhe ka ndodhur vetëm e vetëm për të vendosur militantët e timonit dhe tepsisë.
Përfundimisht jemi përpara një situate të shkatërrimit të administratës. Kryeministri me të gjithë çmendurinë politike dhe shtetërore që e karakterizon, ka paguar mbi 100 e ca milionë euro të tjerra për të ngritur portal.
Sepse kjo administratë e shkatërruar, e shpartalluar, partiake, militante deri në marrëzi, pasi qytetarët kanë nevojë për shërbime profesionale nuk kanë nevojë për militantizëm, u përpoq të zëvendësonte ligjet, rregullat e një shteti normal që do të afrohet me Europën, me portalet e tij. Pra i shkaktoi një dëm mbi 250 milionë euro shtetit, për të prodhuar në fund të ditës, çfarë prodhoi? Një administratë të korruptuar, ku denoncimet janë pafund, jo vetëm në mediat investigative, por në atë investigim të përditshëm që bën qytetari, i cili përballet me këtë maskarallëk shtetëror. Pra paguajnë financat e drobitura të xhepave të shqiptarëve, 102 milion euro vetëm për ndryshimet në administratë.
Tashmë të gjithë shqiptarët e dinë punësimin dhe nuk kanë asnjë shpresë që ligji funksionon. Që kur kanë parë përgjimet e Zërit të Amerikës që lista me 1500 kandidatë merreshin në bazë të teserave të partive. Profesionisti rri në shtëpi, i afti rri në shtëpi dhe e ka derën të mbyllur, paraqitja e teserës së partisë me numrin e votave në një krah, janë këto që përcaktojnë atë që do vejë në zyrën e shtetit, i cili pastaj do të vendosë gjobat e radhës për të rrëmbyer paratë dhe përfitimet e radhës sepse ky vend pune i është dhënë si dhuratë që ai të mbushë xhepin plotë.
Kjo Shqipëri është Shqipëria që nuk o donim të shikonim kurrë. Kjo është nga arsyet pse Shqipëria nuk është më Shqipëria e shqiptarëve dhe shqiptarët duan të ikin nga ky vend. Por kjo është dhe arsyeja shumë e madhe se pse opozita shqiptar është e palëvizur për të vendosur drejtësi në këtë vend.
Sepse shqiptarët nuk kanë taksirat, shqiptarët e varfër, të drobitur, që mezi nxjerrin bukën e gojës, të cilët detyrohen të ikin në emigracion, për të cilin shumë djem e vajza shqiptar do të shkojnë të punojnë në bujqësinë e vendeve fqinje për të marrë pak para për të mbajtur shpirtin gjallë, për të cilën roptohen kushedi sesa emigrantë të cilët çojnë remitanca pafund për ti mbështetur familjarët e tyre në Shqipëri të cilët nuk arrijnë dot të përballojnë mbijetesën sepse këta hajdutë do të marrin 102 milionë dollarë nga financat për të dëmshpërblyer dhe për të paguar 2-3 njerëz në të njëjtin vend pune për shkak të lëvizjeve pafund që bëjnë derisa të gjejnë atë militantin më të mirë, atë krye hajdutin më të mirë që do tu shërbejë hajdutërisë së tyre kapilare shtetërore dhe atij korrupsioni të frikshëm. 102 milionë dollarë dhe 100 e kusur milionë euro portalet e tij dhe 32 milionë euro të vajtura dëm nga BE të hedhura poshtë.
Ta dëgjojnë dhe përfaqësuesit e BE në Tiranë, ta dëgjojnë me shumë vëmendje këtë mënxyrë që po i bëhet shërbimit publik. Të gjitha bashkë u shkojnë shqiptarëve afërsisht te 300 milionë euro dhe në fund fare prodhojnë një administratë të paaftë, të korruptuar, armike të qytetarëve. Koha për ti ndalur është sot dhe çdo qytetar duhet të marrë patjetër lapsin në dorë e të kuptojë që në mënyrë të përditshme nga buka dhe nga djersa e tij paguan këtë hajdutëri dhe këtë administratë që nuk i shërben po vetëm e shqetëson, e zemëron dhe e mërzit. Duhet të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të kthehet përfundimisht në shtëpinë e shqiptarëve.