Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve u shpreh e keqardhur për vendimin e kryetarit të Insitutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa për t’u dorëhequr dhe për të kërkuar azil politik në Zvicër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sula deklaroi se këndvështrimet me Tufën i ka të ndryshme, por shtoi se të dy kanë pasur si qëllim demokracinë.
Postimi i Gentiana Sulës:
Ndjehem sot e keqardhur që kolegu Agron Tufa, nën presionin e kërcënimit me jetë për vete dhe për familjen e tij, u detyrua të lërë vendin në kërkim të azilit politik. Kam ndjekur me shqetësim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar që këto do të trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do të ndaleshin. Që një zyrtar i lartë shtetëror ndërmerr një hap të tillë, tregon se institucionet që duhet ta mbrojnë, ligjet tona, nuk kanë vepruar.
Me Z. Tufa kemi këndvështrime të ndryshme për qasjet mbi përballjen me të shkuaren diktatoriale, por na ka bashkuar qëllimi i përbashkët dhe bindja se nuk ka demokraci të qëndrueshme pa dekomunistizim të shoqërisë sonë. Kam vlerësuar gjithmonë kurajon e tij, pasionin dhe penën e zhdërvjellët, dhe shpresoj që zëri i tij nuk do të na mungojë.
(M. I./ Faxweb.al)