Ylli Manjani i ftuar në studion e lajmeve në Fax News e ka quajtur poshtërsi kombëtare, largimin e investitorëve gjermanë të Telekom nga vendi ynë. Manjani u shpreh se nuk ka asnjë problem me investitorët turq apo serbë, po kjo çështje hyn në çështjen strategjike të qeverisë ndaj biznesve.
“Përzënia e investirorëve Gjermanë është turpi më i madh personal që ka bërë Edi Rama. Unë nuk kam kufij për kapitalin, dhe nuk kam asnjë problem me kombësitë, por ne kemi pasi dhe do të kemi nevojë për Berlinin, pa harruar Romën dhe Athinën. Është katastrofë, qeverisë i intereson largimi i investitorëve të rëndësishëm, për ta bërë tregun monopol për klientët e saj.
Nëse investitori gjerman sheh që tregu bëhet monopol, nuk mund të rrijë në Shqipëri. Ka shpërndarje të pandershme të fondeve. Është një orientim i gabuar i strategjisë të të bërit biznes, ju ka mbetur që të përzënë dhe Lufthansën dhe të vendosin Air Turqinë, se Air Albania nuk është.
Kur mendon se qeveria gjermane është prej vitesh këtu me infrastrukturën e saj dhe ne përzëmë biznesin gjerman, vërini çfarë emri të doni, po është poshtërsi”, u shpreh Manjani.
Kujtojmë se burime nga qeveria bënë të ditur dje se ishte refuzuar oferta e Telekomit serb për të zënë vendin e lënë bosh nga invetsitorët gjermanë. Qeveria mbetet e hapur për të pritur oferta të tjera të kompanive të interesuara.
(E.K/FAXWEB.AL)