Nga Kastriot Islami
Tanimë është e qartë dhe nuk ka asnjë sekret së ç’po ndodh edhe do të ndodhë me protestën qytetare. Në Shqipëri do të zhvillohen vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, të gjithë opsionet e tjera janë të përjashtuara sado të përpiqet Rama dhe e klientela e tij për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Dhe i vetmi opsion për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme është krijimi i një qeverie “teknike” (me mbështetjen e të gjithë faktorëve politikë apo individëve të përgjegjshëm dhe të ndershëm të kuvendit të Shqipërisë që janë të favor të zgjedhjeve të lira e të ndershme) apo kujdestare që garanton besimin politik të të gjithë palëve për zgjedhje të lira e të ndershme. Rama e ka humbur me kohë shansin për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, dhe çështja e largimit të tij nga drejtimi i qeverisë është vetëm çështje kohe, çështje orësh apo ditësh. Kjo zgjidhje është tanimë vetëm në duart e qytetarëve të cilët janë në protestë dhe nuk kthehen në shtëpitë e tyre pa realizuar objektivin e tyre. Koha e qëndrimit të tyre në protestë është në funksion të largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe krijimi i qeverisë “teknike”, kujdestare të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pra qytetarët do të kthehen në shtëpitë e tyre vetëm kur të jenë të sigurtë që qeveria kujdestare është formuar dhe ka një angazhim të qartë për zgjedhje të lira e të ndershme.
1. Rama s’ka asnjë alternativë përveç largimit nga drejtimi i qeverisë…
Rama nuk mund të jetë më në krye të qeverisë për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme, kjo është një e vërtetë absolute apo një ngjarje e sigurtë. Çdo tentativë tjetër e tij veçse do të komplikonte të ardhmen e tij politike dhe do të agravonte situatën politike e sociale në vend. Rama s’ka asnjë shans më të shtyjë qëndrimin e tij në krye të qeverisë, qoftë me reagim të forte apo policor, qoftë me reagim hileqar, qoftë me marifete, qoftë duke menduar të fitojë kohë me idenë se protestuesit do të lodhen e mërziten. Qytetarët në protestë kanë vetëm një objektiv, të largojnë Ramën nga drejtimi i qeverisë për ti hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe prandaj as nuk lodhen, as nuk mërziten, as nuk frikësohen, as nuk janë naivë përballë marifeteve apo hileve të Ramës. Kurse Rama, në panik, realisht i rënë, realisht që nuk qeveris më, realisht i braktisur nga maxhoranca që shkrifërohet cdo ditë, i sulmuar nga brenda qeverisë dhe jashtë saj, i stigmatizuar nga shumica e qytetarëve, i vënë në shënjestër nga fqinjët e partnerët si i korruptuar, i inkriminuar dhe i implikuar në trafiqet e narkotikëve, nuk sillet më si Kryeministri i vendit, nuk drejton më qeverinë, nuk ka as fuqinë të përballet as në kuvend dhe as në media, por i vetmuar dhe i izoluar çdo javë vetëfilmohet në një monolog të shëmtuar që ngjason sikur të ishte futur në bunkerin e tmerrit. Ka mbetur vetëm akti formal i largimit se realisht nuk është më Kryeministër i shqiptarëve dhe duket qartë se nuk ka as fuqinë, as moralin, as ambicien, as forcën për të rezistuar, dhe e vetmja gjë që e mban varur është frika e pengmarrja me të cilën e kërcënojnë të korruptuarit, kriminelët dhe trafikantët e klientelës së tij, natyrisht edhe orientimet eventuale që mund ti vijnë për “rezistencë’ nga kupola e establishmentit.
2. As media mjerane klienteliste nuk e shpëton dot më Ramën…
Media mjerane klienteliste dhe analistët e paguar me paratë e ‘oligarkisë, krimit dhe kanabisit” po përpiqen dëshpërimisht, siç kanë bërë zakonisht e veçanërisht këto 3 vjet, që hallin e madh që ka zënë drejtuesin e klientelës së tyre ta transportojnë te opozita dhe te protesta e qytetarëve. Duke shpalosur “krenarinë e tyre” përmes krahasimit të protestës aktuale, më të madhe në 26 vjet dhe protestave të tyre në 2009-2011; por duke harruar se gjithçka në 2009 ishte një alibi për të shpëtuar Ramën nga aplikimi i statutit të PS që e largonte nga drejtimi i PS apo gjithçka në 2011 ishte një kurth për shtetin dhe provokim i ideuar nga Rama dhe kupola e tij e establishmentit, dhe e realizuar nga individët me rekorde të tmerrshme kriminale që rekrutuan huliganë të paguar e sulmuan policinë dhe gardën, të cilët natyrisht gabuan. Kurse protesta madhështore e 18 shkurtit ishte qytetare, paqësore, masive dhe mbeti e do të mbetet e tillë. Segmente të klientelës së Ramës dhe të medias së tij mjerane përpiqen ta paraqesin atë ndryshe apo deri edhe të tallen me qytetarët, me përkatësitë e tyre krahinore, me sjelljet e tyre të lirshme, me pasionin e tyre, me prezencën e figurave historike të opozitës…e tjerë me të vetmin qëllim që të relativizojnë sitiuatën dhe të krijojnë idenë që e gjithë kjo ose s;është ndonjë gjë e re apo thjesht bëhet për të “hequr Ramën” e “sjellë Bashën”. Gënjeshtra të trasha që qytetarët nuk denjojnë as ti dëgjojnë më nga këta mashtrues profesionistë. Qytetarët po kërkojnë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme ndërkohë që opozita është e bindur se zgjedhjet e lira e të ndershme janë i vetmi opsion për të larguar Rilindjen nga drejtimi i vendit, këtë të keqe që po rrënon vendin, dhe po shkatërron të ardhmen e të rinjve duke i detyruar të pashpresë të emigrojnë.
3. Protesta do t’ia arrijë në çdo rast dhe me çdo mënyrë qëllimit…
Rama është shah-mat. Qytetarët në protestë do t’ia arrijnë qëllimit. Askush nuk mund ti rezistojë kërkesës për zgjedhje të lira e të ndershme dhe do të shkërmoqej përballë kësaj kërkese. Qytetarët duhet ta kenë të qartë se Rama është shumë i dobët dhe i frikësuar. Mbështetja e brendshme është në nivelet më të ulëta. Mbështetja ndërkombëtare është pothuajse zero për të mos thënë që shumë qendra të rëndësishme mezi presin largimin e tij i cili ka filluar të rrezikojë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, ndërkohë nëse do ti referoheshin parimeve të demokracisë e mirëqeverisjes, Rama konsiderohet një qeveritar i korruptuar, i lidhur fuqimisht me krimin dhe drejtues i kultivimit të kanabisit dhe trafiqeve të narkotikëve. Shumica e qytetarëve e kanë të qartë dobësinë e Ramës dhe fuqinë e tyre, kanë vrarë frikën e kanë guximin për të arritur synimin dhe realizuar objektivin në kohën më të shkurtër të mundshme pa u lodhur edhe për të rezistuar gjatë. Opozita gjykon e shpreson se Rama do të largohet butësisht e paqësisht për të mos komplikuar situatën dhe as mos rrezikuar jetën e qytetarëve në protestë çdo veprim policor veçse do të rriste proporcionalisht ndëshkimin e tij ligjor në të ardhmen. Opozita është vendosur për të vazhduar me qytetarët deri në largimin me çdo mënyrë të Ramës. Opozita ndonëse nuk e ka opsion prioritar, do të ishte e gatshme për çdo zgjidhje politike që kalon përmes çdo konfiguracioni politik të aktorëve dhe individëve të përgjegjshëm të parlamentit që janë të angazhuar për zgjedhje të lira e të ndershme, pavarësisht se kjo mund të dukej e vonuar por që do të mund të shmangte situata më të komplikuara nga provokimet që segmente kriminale të shtetit mund ti bënin qytetarëve. E rëndësishme dhe e padiskutueshme është se pavarësisht mënyrës së zgjidhjes, fitorja do të jetë vetëm e qytetarëve në protestë, meritë e tyre, sukses i tyre, një fitore që do të përfundojë pa asnjë dyshim me sigurimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Një fitore që është qytetare, historike, po aq historike, e ndoshta shumë më shumë se ajo e 1991, sepse do të jetë një fitore për të hapur një erë të re në zhvillimet demokratike të vendit, e me shumë gjasa nga zgjedhjet do të rezultojë një opsion zgjidhje në rezonancë me zhvillimet demokratike globale. / syri.net