Një nga çështjet më të diskutuara sot ishte nëse ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski kishte përdorur Shqipërinë për t’u larguar drejt Hungarisë, një fakt që u vërtetua edhe nga sistemi TIMS. Në një konferencë ndërkombëtare, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh i rezervuar në lidhje me çështjen, teksa theksoi se Gruevski e kishte pranuar fajësinë e tij.
“Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë, se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”, u shpreh ai.
(J.D/Faxweb.al)
Discussion about this post