Sipërmarrësi Zef Shtjefni e sheh krejt ndryshe nga të tjerët takimin e minishengenit të mbajtur në Tiranë të shtunën. Në një intervistë për “FaxNews”, Shtjefni deklaroi se nuk ka asgjë të keqe që të thyhen barrierat mes vendeve të rajonit. Sipas tij, një gjë e tillë është e mirë për ekonominë e vendit sepse rritet konkurrenca.
Megjithatë, ai theksoi se më e mira do të ishte që edhe Kosova të jetë pjesë e këtyre takimeve dhe marrëveshjeve.
“Minishengeni kritikohet, tabloja politike po kritikohet dhe unë e shoh krejt normale. Ne nuk besojmë tek Serbia, janë krimet e luftës të pashlyera. As te grekët nuk besojmë shumë. Kjo i çon njerëzit në një situatë të tillë që ta kritikojnë këtë gjë. Unë “de facto” në marrëveshje nuk gjej një presje për të thënë që ka një gjë të keqe që të hapemi ndaj njëri-tjetrit.
Nuk është keq konkurrenca, bën mirë. Nuk mund të kritikohet samiti në këtë aspekt. Unë i dëgjova me kujdes fjalët e Vuçiç. Kam bindjen e plotë të them që edhe pse puna që bëjnë është pozitive, pa Kosovën asgjë nuk mund të arrihet”, deklaroi sipërmarrësi.
Shtjefni e ndali theksin edhe tek prodhimet e vendit tonë dhe defektet në këtë fushë. Sipas tij, qeveria mund të marrë disa masa në këtë aspekt.
“Prodhimet tona janë të një standardi dhe cilësie shumë të mirë. Ne jemi më lart sesa Serbia, unë kam frikë ndonjë firmë austriake sepse Serbia ka ngelur shumë mbrapa në industrinë e qeramikës. Mali i Zi nuk e ka të zhvilluar fare, edhe Maqedonia ka mbetur mbrapa shumë. Jemi në nivel evropian të prodhimeve. Ne çalojmë sepse nuk u japim shumë rëndësi realizimit dhe ambalazhimit, që ka lidhje me reklamën. Kjo në tregun evropian nuk të falet.
Është një kompleks gjërash që duhen bërë, çdo gjë duhet parë në detaje. Ka shumë për të përmirësuar. Ne nuk kemi cilësinë e energjisë elektrike si në vendet e tjera. Niveli i korrupsionit tek ne, sado që punojnë qeveritë, është e vështirë që të hiqet. Është kthyer në një mentalitet masiv, kancerogjen. Çmimi i energjisë elektrike është më i lartë se në vendet e tjera”, u shpreh ai. Zef
Shtjefni foli edhe për tërmetin. Ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në procecin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti.
“Qeveria e ka menaxhuar mirë, me gjakftohtësi tërmetin. Gjëja e parë ishte nxjerrja e njerëzve nga gërmadhat dhe futja në çadra. Ishte një hap i shpejtë. Pastaj filloi shiu, nuk po rrinin dot njerëzit nëpër çadra. Kalimi në hotele ishte një zgjidhje tjetër e mirë. Më pas duhet të kalojnë në apartamente me qira, për të nisur më pas me fazën e rindërtimit. Të rindërtohet sa më shpejt, ne do të japim dorën tonë”, tha sipërmarrësi Zef Shtjefni.
(M. I./ Faxweb.al)
Discussion about this post