Ndeshjet e kampionatit shqiptar këtë vit janë të gjitha për tu parë. Kjo sepse rivaliteti është rritur ndjeshëm. Por jo gjithmonë sjellja e tifozëve është në lartësinë e duhur. Dhe për këtë nuk kanë munguar as gjobat ndaj skuadrave.
Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka bërë publik një vendim të bujshëm sot gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH. Ai tha se nuk do ta paguajë gjobën për të bërë të mundur që ndeshja mes Partizanit dhe Skënderbeut të luhet me tifozë. Demi u ka kërkuar falje tifozëve, por këtë vendim e ka marrë si në formë proteste ndaj Federatës për dënimin e dhënë ndaj mbështetësve të kuq pas incidenteve të ndodhura në Kukës.
“Nuk i paguaj lekët për të ulur dënimin. Partizani-Skënderbeu do të luhet pa tifozë. Le të shkojnë ta shohin ata të Federatës dhe televizionet. Duan ta bëjnë kështu futbollin, le ta bëjnë. Nëse u duket i bukur kështu, le ta bëjnë. Si ka mundësi që miqtë dënohen 4 javë, ndërsa organizatorët nuk dënohen fare?! I referohem ndeshjes në Kukës. Pse kështu do të vazhdojmë? E kanë shëmtuar futbollin dhe po e them edhe njëherë, kjo që ndodh këtu është një maskaradë”, tha presidenti i Partizanit. (E.K/SHUPLAKA)