Ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili është zgjedhur kandidat për deputet i LSI në Durrës, në një takim me banorët e lagjes 4 të qytetit, ka folur për kontraditat në koalicionin me PS-në.
Edhe pse vetë ka qenë një ndër eksponentët e LSI-së që ka folur haptaz për çështjen e kanabizimit të vendit, Koka deklaroi se kritikat mes koalicionit nuk kanë pse të konsiderohen luftë.
“Brenda një koalicioni mund të ketë kritika dhe oponencë konstruktive, nuk ka pse të konsiderohet luftë, dhe ndarje përfundimtare. Unë kam qenë kritik në disa raste, qoftë dhe nga mënyra se si është administruar Bashkia, jo se kam gjë personale me dikë, por unë besoj që çdo njëri nga ju nëse do të pyetet mendo që diçka më mirë mund edhe të bëhet. Dhe në fund fare dhe nëse ne mundemi të dialogojmë me njëri tjetrin jo vetëm si sot për të ardhur për të kërkuar vetëm një votë për në parlament apo për në Bashki”, ishin fjalët e Kokës.
Kandidati për deputet, u kërkoi banorëve të Durrësit votën duke u ofruar një alternativë për zgjidhje si edhe prezantoi një pjesë të ekipit prej 14 kandidatësh në Qarkun Durrës, të forcës politike LSI , Eneo Hasa, Arbi Shtylla, Edlira Hyseni dhe Skerdi Bello.
“Sot jemi në një situatë politike jo normale, dhe unë jam i bindur që dhe ju keni të njëjtën ndjesi. Sigurisht është diçka jo e zakontë, megjithatë zgjedhjet do të zhvillohen dhe LSI do të marrë pjesë në këto zgjedhje e vetme, jo në alenace me PS apo forca të tjera politik.
Por, unë jam i bindur që sot LSI është një forcë politike, që mund të garojë e vetme, mund të ketë një rezultat me të vërtetë bindës, për të qenë nesër një aleate e denjë e të majtës socialiste.
Nuk do të ishte normale të mos ishte arritur liberalizimi i vizave, nuk do të ishte normale që vendi të bëhej vend kandidat për në BE. Pra, nëse këto situate i kishim 4 vite më parë, këtë që kemi sot, mendoj që gjërat do ishin shumë më mbrapshta”, tha Koka. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post