Deputeti Lefter Maliqi në fjalën e tij në seancën e sotme parlamentare ka denoncuar rastin e vdekjes të Andon (Erjon) Mëhillajt i cili sipas tij humbi jetën për shkak të paaftësisë dhe mungesës së personelit mjekësor.
“Kjo interperlancë e sotme me ministren Etilda Gjonaj përkon me një ditë të zymtë për burgjet. Ka vdekur një i burgosur, të cilin e morën dhe e çuan pa ndjenja në spital ku gjeti dhe vdekjen. Burgjet janë kthyer në KÇK, ku nuk ka infermierë, mjekë. Janë kthyer në pronë private, me shkelje të hapura në emërime.
Ministrja Gjonaj drejton një nga ministritë më të rëndësishme, ndërsa sot kur nuk kemi drejtësi, por vrasje, rrëmbime dhe grabitje na kalohet nga ligji antimafia në KÇK“, u shpreh Maliqi nga foltorja e Kuvendit duke iu drejtuar me akuza drejtpërdrejt ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi i cili sipas tij ka emëruar si drejtorë burgjesh ushtarakë të mirëfilltë.
Deputeti Maliqi iu referuar vdekjes në Burgun e Peqinit të Andon Mëhillit, i cili dyshohet se pësoi arrest kardiak ndërsa familjarët lëshuan akuza në drejtim të shtetit dhe neglizhencës së institucionit të vuajtjes së dënimit.
Në seancën e sotme parlamentare u mbajt interperlancë dhe me ministrin Lleshi për rastin e deportimit të Harun Çelik, kërkuar nga deputeti Artutr Roshi ku pati replika të forta mes tyre.