Deputeti Lefter Maliqi i cili mori mandatin nga listat e PD-së ka depozituar sot në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë kërkesë për interperlancë me Kryeministrin Rama.
Kriza e rëndë politike, pasiguria e qytetarëve shqiptarë, emërimet nepotike në administratë, vetingu në politikë si dhe ndryshimet në sistemin zgjedhor, zgjedhjet e 30 qershorit janë disa nga çështjet më problematike të cilave kryeministri Rama do t’i duhet tu japë përgjigje.
Në një intervistë ekskluzive për Fax News deputeti Lefter Maliqi tha se situata aktuale politike-ekonomike në Shqipëri është shumë e rëndë çka ka sjellë zhgënjim duke detyruar qindra familje e të rinj të emigrojnë.
“Po të hedhësh sytë sot, në festën e 1 Qershorit sheh vetëm fëmijët e politikanëve që festojnë. Fëmijët e shqiptarëve të thjeshtë kanë emigruar, ata që jetojnë këtu nuk munden ta festojnë. Ndaj ndërsa shoh gjithë këtë humbje shprese depozitova në Kuvend interperlancë me Kryeministrin, përgjigja e së cilës duhet të vijë brenda 3 javëve.
Në këtë interperlancë kryeministri duhet të përgjigjet për çështjet që na shqetësojnë të gjithëve si situata e rëndë politike, emërimet nepotike, situata e rrezikshme konfliktuale para zgjedhjeve të 30 qershorit, që mund të cojë në konflikt civil madje dhe viktima, sistemi zgjedhor si dhe situata e rendit për krimet e rënda të ndodhura në 4 muajt e parë të vitit ku numërohen rreth 40 vrasje çka e bën raportin 1 vrasje në 3 ditë në qytetet kryesore në Shqipëri. Shohim Vlorën që është bërë si Palermo, e njëjta situatë është në Durrës, Elbasan, Shkodër”.
Deputeti Maliqi paralajmëron një interperlancë “interesante” pasi do të ketë dhe shumë zhvillime të tjera.
“Sot nuk ka Parti Socialistë, sot ka vetëm Rilindje, në kabinetin qeveritar nuk ka socialistë, por vetëm rilindas, janë 3 ministra pa portofol, ndërsa ministrat socialistë pak numërohen. Ndaj jam i bindur që zgjedhje të parakohshme do të ketë kurdo që të ndodhin. Situata po rrjedh nga e djathta, pavarësisht gabimeve të shumta të PD-së”, tha Maliqi.
Pyetjes së gazetares së Fax News, Eksiola Shehu se si e sheh situatën politike ndërsa sot PS çel fushatën, por opozita ka deklaruar se nuk do të hyjë në zgjedhje, Maliqi iu përgjigj:
“Nuk ka zgjedhje dhe nuk duhet të ketë, por dhe po të zhvillohen nuk do të certifikohen. Kjo sepse 34 bashki nga 61 nuk kanë rival, 21 prej tyre kanë kandidat fals. Do isha i mendimit më mirë ti emërojnë se sa të harxhojnë miliona lekë. Këto zgjedhje janë të pamundura të zhvillohen pasi në të gjithë vendin janë rreth 6 mijë qendra votimi, ndërsa efektivë policie 5500 çka e bën të pamundur mbulimin e këtyre qendrave.
Në Tiranë kemi 10 grupe të gatshme, por mund të ndodhë që në Kamzë që në orët e para të mëngjesit të ketë konflikt në dhjetëra qendra votimi.
Unë shoh shantazhim që i bëhet opozitës ndaj jam që sa më shpejt të parashikohen zgjedhjet e parakohshme dhe të shpërbëhet ai parlament që është kthyer në parodi, në ERTV me deputetë pa nivel, me diploma të blera dhe të shkuar të errët.
Askush nuk flet për Vetingun në politikë, futën policët e shkretë me 400 mijë lekë pagë në veting, ndërsa këta politikanë që kanë pasuri që nuk ua di askush nuk filtrohen. Jam i bindur që dhe kryeministri ministrat, deputetët dhe gjyqtarët po të kalojnë filtrin e vetingut nuk do të jenë më në politikë”.
Gjithashtu Maliqi ka komentuar dhe letrën e 7-ë publike të kryeministrit Rama, kësaj here jo më drejtuar Lulzim Bashës, por demokratëve.
“Mos të ju duket habi, janë ironira, ka dhe shumë letra të tjera të nëndheshme që ka çuar. Situata është shumë e keqe, nuk ndodh më ajo marrëveshje e 2017-s ku përfitoi vetëm Edi Rama sepse i bie që kryetari i PD-së të largohet vetë.
Por unë mendoj që Rama frikën më të madhe e ka me LSI, sepse bashkimi PD LSI, së fundmi dhe me aleatët e dikurshëm të Ramës, Dule dhe Idrizi bën që Rama të rrezikojë seriozisht fitoren.
Në 2017 mori 74 mandate në kohën kur droga ishte sheshit, kur Tahiri ishte i fortë, kur Xhafaj ishte i fortë, kur Gjiknuri ishte i fortë, kur Dako ishte i fortë, kur disa banda kriminale që bënë fushate për PS ishin të lira dhe jo në burg si sot me insistimin e ndërkombëtarëve dhe kur zhgënjimi i socialistëve është shumë i madh.
Rama nuk po i shërben askujt, vetëm një grupi të vogël.
Po ti shohësh disa deputetë i kanë firmat të lidhur me oligarkët të cilët i kanë në emër të kunatit dhe janë deputetë vetëm për të bërë pazare.
Shitblerja është fenomen 30 vjecar por dosjet dhe përgjimet e fundit tregojnë se në 2017-n ky fenomen ka qenë shumë i përhapur”.
Pyetjes së gazetares Shehu se si është sjellja e kryeministrit me opozitën e re në kuvend, Maliqi i është përgjigjur me nënqeshje:
“Nuk ka opozitë të re në Kuvend. Unë jam përfaqësues i demokratëve të ndershëm në vend.
Po e bëj këtë interperlancë për t’i treguar që s’kam frike, jam apo s’jam deputet, rëndësi ka që të jem me dinjitet.
Opozita është në rrugë, se po të jetë opozita do të ketë ndryshim në sistem zgjedhor. Ata kërkojnë ti marrin votat opozitës për ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë për të cilën u bëra thirrje kolegëve se nëse nuk votohet sistemi zgjedhor atëherë ju jeni të kapur dhe të futur. Rama premtoi 300 mije vende punë ndërkohë që kanë ikur 300 mijë shqiptarë. Unë jam për zgjedhje të parakohshme. Po të ishte për interesin tim personal unë do të rrija deputet deri më 2021”