Legalizime, legalizime dhe legalizime. Kjo ka qenë një nga kryefjalët e qeverisjes së Ramës. Dhe në mbyllje të mandatit katërvjeçar sërisht ka disa lehtësira që po ndërmerren në mënyrë që ky process të realizohet.
Personat që kanë ndërtuar pa leje dhe janë pajisur me lejen e legalizimit, mund të marrin tapinë për shtëpinë apo njësinë e biznesit brenda 10 ditëve, me një kosto prej 5 mijë lekësh. Shërbimi ofrohet në “e-albania”. Pronari i objektit duhet të identifikohet në faqen zyrtare në internet me numrin e kartës së identitetit ose pasaportë biometrike (të nevojshëm për t’u loguar në portalin “ealbania”) dhe të dërgojë një shkresë përcjellëse nga institucioni që ka lëshuar lejen e legalizimit.
APLIKIMI ONLINE
Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për regjistrimin e objekteve të legalizuara. Bëhet regjistrimi i objektit të legalizuar menjëherë pas përcjelljes për regjistrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizmit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, të lejes së legalizimit dhe dokumentacionit. Regjistrimi kryhet në favor të subjektit, të cilit i është lëshuar leja e legalizimit. Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me email, dërgimit të përgjigjes elektronike te “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-albania”, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të ligjit nr. 33/2012, bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit.
Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik. KËRKUESI Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. PËRGJIGJJA Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit te “Dokumentet e mia” në “e-albania” dhe informimit me email për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu, nëse qytetari dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit.
LEGALIZIMET
Sipas ligjit në fuqi, ka edhe një alternativë tjetër për aplikimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për pajisjen me certifikatë pronësie të ndërtimeve të pajisura me leje legalizimi. Vetë Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimore Informale aplikon për llogari të personit që ka marrë lejen e legalizimit duke dorëzuar në Hipotekë edhe gjithë praktikën ligjore të nevojshme për regjistrimin e pasurisë, shtëpisë apo biznesit.
PARCELA NDËRTIMORE
Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat, për shkak të përmasave ose konfiguracionit, nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim. Kur ndërtimi pa leje disponohet nga një subjekt, kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe objektit që legalizohet, regjistrohen në emër të subjektit që disponon objektin.