“Bloodlands” është filmi i parë horror shqiptar e që pritet të dalë në publik pak ditë më vonë. “Bloodland…Tokat e përgjakura” rrëfejnë historinë e parë horror të prodhuar në vendin tonë e cila tregon për një familje që i duhet të përballet me mallkimet e një shtrige e që përfundon me gjueti vampirësh.
“Bloodlands” flet për historinë e një gruaje së cilës në mënyrë misterioze i kanë vdekur fëmijët dhe pasi dhunohet nga banorët largohet në mal dhe shëndërrohet në shtrigë dhe bashkë me një grup fëmijësh që i rrit vetë dhe i mëson se si të jenë të dhunshëm do të fillojë hakmarrjen. Në luftën kundër shtrigës përfshihet edhe një familje kasapësh për të mbijetuar.
Aktori Dritan Arbana i ftuar në emisioni e pasdites “Rudina” tha se xhirimet janë realizuar në Tiranë, Elbasan, Ibë, Petrelë dhe në një zonë jashtë Tiranës në Kombinat dhe kanë zgjatur 3-4 javë.
“Ky film është i rafinuar në detaje dhe kjo është diçka shumë e mirë. Ne kemi qenë ekip i shkëlqyer. Premierën ky film e ka patur në Skoci dhe është pritur shumë mirë. Aty pritja ka qenë e jashtëzakonshme, njerëzit kishin shumë kuriozitet për gjakmarrjen. Pastaj është luajtur në Portugali, Belgjikë, Australi dhe në Kore”, tha Arbana.
Me regji të greko-australianit Steven Kastrissios, filmi pritet të shfaqet në kinemat shqiptare.
(S.SH/Shuplaka)