Lavdrim Lita, drejtor i Faktor.al i cilëson ndryshimet në kabinetin qeveritar si sasiore dhe pa cilësi. Lita në një intervistë në FaxNews për gazetaren Rovena Neziri, është shprehur se këto zhvillime janë më tepër të ndikuara nga SPAK.
“Qeveria është në 15 minutshin e fundit, ku Kryeministri po tenton të bëjë ndryshime për ta nxjerrë ndeshjen barazim”, është shprehur Lita, ku shton se janë disa çështje në SPAK dhe të tjera për të cilat do të nisin hetimet, ndaj të cilave Kreyministri Edi Rama nuk ka ndikim.
Zëvendësimin e Krifcës dhe të Xhaçkës, Lita ia atribuon SPAK-ut, dhe dyshimeve ndaj tyre përkatësisht për fondet e IPARD dhe çështjes së pronave në Dhërmi.
Lavdrim Lita: Ndryshimet e kabinetit qeveritar janë sasiore jo cilësore, është zëvendësuar Ministrja e Financave me një zv.Ministër të Financave. Do të thotë që ekonomia shqiptare nuk ka qenë e shëndetshme. Shteti shqiptar e ka të vështirë të menaxhojë resurset e tij financiare përmes rritjes së borxhit dhe problematikat e tjera që hasin shërbimet publike.
SPAK duket që ka bërë punën e tij parandaluese, sepse është larguar Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, e dyshuar për shpërdorimin e fondeve të IPARD. Dyshimi tjetër bie mbi Olta Xhaçkën, që është po në SPAK e kallëzuar nga Fredi Beleri, për çështjen e aferës në tokat në Dhërmi.
Në tërësi po ndihet lëkundja që ka bërë SPAK dhe duket sikur i kanë hequr Edi Ramës, timonin dhe tepsinë nga duart. Ju e dini që emri i Damian Gjiknurit, është në SPAK për çështjen e inceneratorëve. Pothuajse 30 zyrtarë të PS-së janë brenda. Qeveria është në 15 minutshin e fundit, ku Kryeministri po tenton të bëjë ndryshime për ta nxjerrë ndeshjen barazim.
Ai duket se nuk ka fare kontroll për disa dosje, sidomos për sterilizimin, inceneratorët… Për çështje madhore ndikimi i tij, duket se nuk është aq i fortë sa t’i ndalojë. Urdhër-arrestet janë shumë të qarta. Ish-Kryebashkiakë të rëndësishëm që kanë punuar për ta sjellë Edi Ramën në pushtet tani janë në qelinë e VIP-ave në Durrës. Nuk besoj se do t’i kthehet mbrojtjes që i ka bërë Tahirit.