Analisti Alfred Lela në një shkrim të tijin të titulluar thjesht ‘’Mimi dhe Vasilika”, ka komentuar lëvizjet e fundit të të dyja deputeteve socialiste.
Duke pasur vlerësim për rolin e tyre, dhe kurbën e rritjes në politikë, Lela shprehet se në një ditë prilli, ato u hodhën pas anjë teklif në shpinën e dy gomarllëqeve.
Këtu ai i referohet reagimit të vonuar të Mimi Kodhelit për atë që po ndodhte me banorët në Kukës, pas vendosjes së tarifës në Rrugën e Kombit, dhe përfshirjen e Vasilika Hysit në debatet për LGBT-në.
‘’Të dyja, si ta kishin bërë me fjalë, një ditë të prillit të 2018-ës, janë hedhur si të ishin dy vajzuke të reja fare, pas asnjë teklif në shpinën e dy gomarllëqeve. Mimi Kodheli ‘i ka dalë kundër’ një vendimi të Qeverisë dhe të shefit të saj, Rama, për tarifën në Rrugën e Kombit. Në shikim të parë Kodheli bën detyrën ndaj elektoratit të vet, kur e demonstorn këtë mosdakordësi. Ama, duam s’duam, pozicionimi merr shijen e farsës për vetë kohën kur ndodh: pasi janë konsumuar të gjitha përpjekjet dhe të gjitha debatet. Aq larg ka shkuar koha para Mimit sa janë shuar edhe zjarret që dogjën kabinat e pagesës për të cilën ajo proteston”, shkruan mes të tjerave Lela.
SHKRIMI I PLOTË:
Mimi Kodheli dhe Vasilika Hysi janë dy deputete të Partisë Socialiste që, nuk mund t’i qortohen listës së zgjedhjeve të Edi Ramës. E para nga Bashkia, ku ka punuar me Kryeministrin kur ai ishte qytetari i parë i Tiranës, dhe e dyta, nga shoqëria civile, janë dy gra që e kanë siguruar vetë bukën e kurbës ngjitëse në Partinë Socialiste dhe në peizazhin politik.
Kodheli ka provuar edhe rolin ‘mashkullor’ të ministres së Mbrojtjes ku, përveç ‘fikejs së radarëve’ nuk mund t’i gjenden anomali të tjera të mëdha. Hysi, duke mbetur deputete ka shpëtuar prej anatemimeve të ububushme dhe ka shërbyer si ‘matriarkë’ e jurisprudencës në PS. Ato mbeten dy politikane që nuk e ndosin hapësirën publike me injorancën dhe diarrenë verbale dhe epilepsinë mendore që shenjon një pjesë jo të vogël aktorësh politikë.
Ato, për disa mund të jenë simpatike, për disa jo, por antipatike nuk mund të thuhet se janë.
Të dyja, si ta kishin bërë me fjalë, një ditë të prillit të 2018-ës, janë hedhur si të ishin dy vajzuke të reja fare, pas asnjë teklif në shpinën e dy gomarllëqeve. Mimi Kodheli ‘i ka dalë kundër’ një vendimi të Qeverisë dhe të shefit të saj, Rama, për tarifën në Rrugën e Kombit. Në shikim të parë Kodheli bën detyrën ndaj elektoratit të vet, kur e demonstorn këtë mosdakordësi. Ama, duam s’duam, pozicionimi merr shijen e farsës për vetë kohën kur ndodh: pasi janë konsumuar të gjitha përpjekjet dhe të gjitha debatet. Aq larg ka shkuar koha para Mimit sa janë shuar edhe zjarret që dogjën kabinat e pagesës për të cilën ajo proteston.
Gjithë çka mbetet nga përgjegjshmëria e Kodhelit në raport me elektoratin e saj kuksian është taktika. Duke i shkelur syrin shefit të vet, tashmë kur disidenca zvogëlohet para shkulmit të ngjarjeve që morën përpara shumë gjëra, dhe me strategjinë qeveritare të dështuar (siç e pranoi vetë Rama) , taktikat e vogla janë gjithçka mbetet.
Ish-ministrja e Mbrojtjes ka edhe një element tjetër që i del kundër: këshilltarët socialistë të Bashkisë së Kukësit, që u përjashtuan nga Rama për përkrahje të lëvizjes qytetare kundërshtare e tarifave të kripura të Rrugës. Ideja e Mimit që luan disidenten dhe mbetet në parti, nuk shkon me faktin e këshilltarëve socialistë të Kukësit që janë hallexhinj, por u flakën jashtë PS. Eksponentët e lartë socialistë që dalin kundër taksës, duhet të kërkojnë në të njëjtën kohë ‘faljen’ e përfaqësuesve të PS në Bashkinë e Kukësit.
Kjo ‘pakujdesi’ është pergamena ku lexohet farsa.
Në farsë bashkohen, si dy motra të një ideali, Mimi me Vasilikën. Edhe deputetja e Tiranës, duke u kthyer në ditët dhe ndjesitë e kohës kur ishte veprimtare e shoqërisë civile, prodhoi një kundërthënie dhe një bumerang, kur ‘i ra vetes’ në përpjekje për të mbrojtur ‘miqtë’ e komunitetit gay. Hysi shigjetoi deputetët e djathtë të cilët munguan në një takim parlamentar me LGBTI, duke thënë se ‘ata nuk pranojnë të ulen afër me ju (personat gay), por nuk kanë patur problem të ulen afër kriminelëve në parlament’.
‘Amnezia’ e Hysit ndoshta është e nënndërgjegjshme, por kriminelët, dhe jo një por disa, kanë qenë shokë dhe kolegë të krahut të majtë në Kuvendin e Shqipërisë. Siç kanë qenë dhe janë edhe në krye të bashkive të fituara nën stemën e Partisë Socialiste. Siç, edhe pasi janë larguar nga parlamenti, u janë besuar nga shefi i saj çelësat e degëve lokale të PS. Pra, janë nxjerrë nga dera e janë futur nga dritarja.
Në të majtë të spektrit, ndoshta, të ulurit afër e afër me përfaqësues të komunitetit gay konsiderohet si njëfarë shelbimi.
Më mirë vonë se kurrë, nuk është gjithmonë mirë, zonja.(E.K/FAXWEB)