Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i ftuar në studion e ‘Fax News’, ka komentuar aktualitetin politik në vend, ndërsa është fokusuar kryesisht te vendimi i opozitës për lënien e mandateve në 2017-n. Sipas Spahos, vendimi i marrë ishte mëse i drejtë, pasi vullneti i qytetarëve shqiptarë u deformua dhe se ky vendim u mor pasi në vend duhej të ruhej dhe të instalohej institucioni i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke rrëzuar kështu atë Parlament të ngritur me vota të blera nga mazhoranca. Sipas tij, një pjesë e deputetëve janë të blerë nga Edi Rama dhe u shërbejnë vetëm interesave të tij personale dhe jo interesave të qytetarëve, të cilët i kanë votëbesuar.
“Vendimi që ne morëm për lënien e mandateve ishte mëse i drejtë. Vullneti i qytetarëve u deformua. Vendimi që morëm ishte për të ruajtur ose instaluar institucionin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për ta rrëzuar atë Parlament që ishte ngritur me vota të blera. Një pjesë e deputetëve janë blerë nga Edi Rama dhe u shërbejnë interesave të tij.”, u shpreh në lidhje me këtë çështje, z. Spaho.
Ndërkohë, i pyetur se çfarë do të ndodhte nëse do të rrinin në Parlament dhe nuk do të linin mandatet, Spaho u shpreh se, e vërteta është se ai ishte një parlament i blerë, monopartiak që nuk sheh interesat e popullit, por vetëm ato personale të kryeministrit Rama, i cili ka kapur të gjitha pushtetet. Ndaj, sipas Spahos, opozita do të përdorë të gjitha mekanizmat që ka në dorë për të kthyer demokracinë në vend, të marrë peng nga mazhoranca.
“E vërteta është se është një parlament i blerë, monopartiak, që nuk sheh interesat e popullit, por ato personale të edi ramës. Ai ka kapur të gjitha pushtetet, edhe në nivel qendror edhe në nivel vendor. Ne do të përdorim të gjitha format dhe mjetet për ta kthyer demokracinë në vend.”, vijoi Spaho në intervistën e tij.