Nga Namir Lapardhaja
Lepuri simbolizon frikën. Me zemrën e tij, ai mund të jetojë gjatë. Ai ka zgjedhur atë mënyrë jetese. Ngordhja lepurit mund t’i vijë ditën që të vetëshpallet luan. Jo vetëm që nuk do ta marrë kush seriozisht nga kafshët e pyllit, por edhe mekanizmi i frikës nuk do t’i funksionojë më, gjë që për të do rezultonte fatale.
Njeriut, në dallim nga lepuri, i takon ta vetëpërkufizojë raportin individual mes frikës dhe kurajos.
Me ose pa vetëdije, qenia njerëzore e dhuron forcën vetjake tek më i forti, pastaj bëhet rob i asaj që ka dhuruar. Ngjashëm me idhujtarët në kohët e paganizmit, të cilët krijonin perëndi prej tulës së hurmës dhe, kur i merrte uria, i hanin.
Forca e më të fortit buron pikërisht nga dorëzimi pa kushte përpara tij.
Ai që duket dhe vetëshpallet si më i fortë, nuk është gjë tjetër vetëm se më i dobëti i shoqërisë, por është pavetëdija e çdo individi për të njohur forcën e vetes që ka shkaktuar këtë bindje të verbër përpara tij.
Në këtë kuptim, e gjithë shoqëria kontribuon në forma dhe mënyra të ndryshme për të ngritur idhuj force dhe trimërie. Pastaj është po vetë kjo shoqëri që i përulet dhe i nënshtrohet, për shkak se është e pafuqishme për të bërë ndryshe.
Si shoqëri historikisht kemi vuajtur nga mungesa e kurajos.
Njeriu mund të tregohet hipokrit përpara njerëzve për të gjitha vlerat e tjera, duke u shfaqur përpara tyre ashtu siç nuk është në të vërtetë.
Ai mund të gënjejë për cilësi që nuk i ka, të cilat nuk mund të vërtetohen, nëse nuk do vijë një kohë apo moment për t’i shfaqur. Mund të kalojnë vite dhe tjetrin nuk mund të kesh mundësi për ta njohur kurrë, sepse thjesht nuk rastis asnjëherë koha dhe momenti për një gjë të tillë.
Vetëm kurajoja nuk mund të fshihet.
Atë ose e ke, dhe e shfaq, ose nuk e ke, dhe nuk mund ta shfaqësh. Përndryshe, me zemrën e tij, lepuri mund të jetojë gjatë.