Nga Mentor Kikia
Një shfaqje përtej çdo logjike vazhdon prej dy ditësh me marrjen e djaloshit 11 vjeçar Alvin Berisha nga një kamp në Siri, ku mbahen ish luftëtarë të ISIS si dhe gratë e fëmijët e tyre. Video dhe foto pa fund. Njësoj si ata bamirësit që, edhe kur i japin një copë bukë fukarait, bëjnë disa bubla filmimi që të kapet imazhi më i mirë.
Në Romë një ushtri me zyrtarë, dolën në një konferencë për shtyp duke treguar me radhë se si e morën Alvinin nga kampi. A thua kanë evakuuar të gjithë kampin. Ministri yne i brendshem udhetoi nga Bejruti ne Rome, per te qene edhe ai pjese e gostise mediatike.
Në fakt i gjithë ky show, shqiptaro-italian, është një tym që hidhet për të mbuluar heshtjen skandaloze të të dy shteteve për të tërhequr nga ky kamp njerëzit e tyre.
Atje besohet se janë të paktën 80 shqiptarë, shumica gra e fëmijë, të cilët shteti ynë nuk pranon ti riatdhesojë, sikundër edhe vendet e BE-së. Sepse ata ikën vullnetarisht.
Operacioni për marrjen e Alvinin ishte një show politik pasi historia e tij shkaktoi një reagim shumë të madh mediatik e publik në Itali. Alvinin e shpëtoi një baba i përkushtuar, që për 5 vjet nuk reshti së kërkuari, si dhe dy gazetarë, një italian e një shqiptar, që shkuan dhe e gjetën mu brenda në kamp.
Ndërsa gara mes qeverisë dhe presidencës shqiptare se kush dha më shumë kontribut për shpëtimin e Alvinit është qershia mbi tortë e kësaj hipokrizie.
Për të marrë njerëzit nga kampi në Siri nuk ka nevojë për Rambo, apo luftëtarë Ninxha. Mjafton të duash ti marrësh.