Gazetari Mustafa Nano ka kërkuar sërish ndjesë publike për debatin e zhvilluar mbrëmjen e së martës në emisionin ‘Opinion’ me deputetin e Ervin Salianji, ku lëshoi gojën duke përdorur një sërë fyerjesh në drejtim të demokratit.
Emisionin e tij ‘Provokacja’ që u transmetua mbrëmjen e djeshme, Nano e ka nisur me një ‘mea culpa’, duke thënë se ai doli i humbur nga ai debat.
“Ka patur plot njerëz që më thanë bravo të qoftë. Por jo, sjellja ime ishte absolutisht e gabuar. Dola i humbur nga ajo studio dhe i humbur del kushdo që bën atë sjellje”, u shpreh Nano.
Gazetari tha se në atë emision ai ka dhunuar një standard të tij, dhe se meraku i tij është për të gjithë njerëzit që shohin të manifestohet dhuna në studiot televizive.
“Ishte mbrëmja më e ulët, sepse u bëra njësh me standardin e ulët dhe dhunova një standard timin dhe është ky fakt që më bën të mos jem krenar për ç’bëra e ç’thashë. Dhe “mea culpa” u drejtohet njerëzve që janë të lodhur nga harbutëria televizive. I kërkoj ndjesë kujtdo që ulet të ndjekë një debat televiziv dhe e sheh veten te dhuna që manifestohet në studio. Iu kërkoj ndjesë dhe për ndonjë zhgënjim tjetër në të ardhmen”, deklaroi gazetari Mustafa Nano.
(E.K/FAXWEB.AL)