Një përleshje fizike ka ndodhur vetëm pak minuta më parë në “Qytet Studenti” mes policisë dhe një grupi studentësh. Studentët ishin duke protestuar për tarifat e larta dhe për këtë do të shkruanin në muret e konvikteve “Kushte si në Afrikë, tarifat si në Amerikë”.
Video është publikuar nga faqja “Për Universitetin” në Facebook. Mirëpo, pas kësaj aty ka mbërritur policia e cila është konfrontuar fizikisht me studentët. Por më vonë situatat është tensionuar. Disa policë duket se i ndjekin studentët edhe pse ata janë duke u larguar. Ata kërkojnë me ngulm shoqërimin e disa prej tyre në komisariat, por mesa duket studentët nuk e kanë lejuar.
Ata mundohen të shpëtojnë nga kapjet e policëve që duan t’i mbajnë me forcë. Të ndodhur në këtë situatë, ata largohen të gjithë njëherazi, dhe bërtasin ndaj tyre: “Turp, turp, turp”.
Postimi në Facebook:
Dhuna nuk na ndal!
Gjatë aksionit ndërgjegjësues me mesazhin “Kushtet si në Afrikë, tarifat si në Amerikë” të aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin në Qytetin Studenti, një grup policësh ndërhynë brutalisht duke tentuar të sekuestrojnë materialet informuese. Në shkelje të ligjit dhe çfarëdo etike njerëzore, militantët partiakë me uniformë policie kanë goditur dhe tërhequr zvarrë disa studente e studentë, pikërisht në qytetin e tyre.
Dhuna policore nuk është asgjë përpara asaj strukturore të një qeverie që vjedh studentët me tarifa të larta dhe financon pronarët e universiteteve private. Ajo vetëm sa vërteton në sytë e të gjithëve faktin që ne jemi në krahun e së drejtës dhe na forcon të vazhdojmë në rrugën tonë. Në rrugën e një universiteti të ri, vatër dijeje dhe përgatitjeje profesionale, autonom dhe të organizuar demokratikisht.
Studentët e bashkuar kanë për të fituar!