Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama thotë se kryeprokurorja Arta Marku ka shkelur ligjin me letrën e saj të hapur drejtuar popullit.
Rama thotë se kushtetuta letrat a pamfletet publike që nuk janë instrument ligjor i punës së prokurorëve.
“Kësisoj, letrat a pamfletet publike që nuk janë instrument ligjor i punës së prokurorëve, s’janë asgjë tjetër, por dëshmi e paaftësisë për të kuptuar dhe zbatuar ligjin në përmbushje të detyrës, janë tregues se ata nuk dinë se cila është praktika zyrtare e komunikimit në e për zbatim të ligjit!”, shkruan Luan Rama.
Sipas Luan Ramës edhe vetë Arta Marku e di që kishte shkelur ligjin pasi e fillon me refrenin “të dashur qytetarë të vendit tim” dhe e nënshkruan në fund Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, një emërtim që është i paligjshëm sepse edhe në Kushtetutë, edhe në ligj asnjeherë e asgjëkundi nuk flitet për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm!
E plotë:
Më duhet ta them përsëri për të gjithë ata që nuk e dinë, por edhe për ca të tjerë që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, a thua se nuk e dinë që vetëprezantimi si i paditur nuk e përligj injorancën, se Prokurori i Përgjithshëm, e afërmendsh, edhe të gjithë prokurorët e tjerë, nuk komunikojnë me letra të hapura me askënd, me asnjë institucion e aq më pak drejtuar popullit!
Kushtetuta u njeh atyre vetëm një instrument, dhe ky është ligji, prej nga ku buron edhe autoriteti që ata kanë si bartës të tagrit kushtetues për të përfaqësuar akuzën në emër të shtetit!
Kësisoj, letrat a pamfletet publike që nuk janë instrument ligjor i punës së prokurorëve, s’janë asgjë tjetër, por dëshmi e paaftësisë për të kuptuar dhe zbatuar ligjin në përmbushje të detyrës, janë tregues se ata nuk dinë se cila është praktika zyrtare e komunikimit në e për zbatim të ligjit!
E në këtë kontekst, nëse ka një situatë problematike në funksionimin institucional e ligjor brenda prokurorisë, Prokurorja e Përgjithshme nuk mund e nuk duhet t’a trajtojë atë nën refrenin populist “të dashur qytetarë të vendit tim”, që është motivi i letrës së saj publike, sepse kjo praktikë, më së shumti tipike e sjelljes dhe gjuhës mediokre politike, bie ndesh me përcaktimin kushtetues sipas të cilit, “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit…”.
Duke besuar e shpresuar se të gjithë ata që si jeniçerët kokëboshë e trutharë janë gati të fillojnë e të bëjnë shërbëtorin e verbër, të paktën këtë koncept bazik do ta kuptojnë, të tjerët i ftoj të pranojnë se qëndrimet e mia publike nuk kanë të bëjnë fare me qytetaren Arta Marku dhe as me atë si grua, si nënë a si zonjë shtepie në shtëpinë e vet. Madje, kurrë e asnjëherë nuk jam marrë e as merrem me jetën dhe privatësinë e të tjerëve, e në zbatim të këtij parimi, ju siguroj se e respektoj privatësinë e zonjës Arta Marku shumë më tepër nga ata që po e përdorin politikisht e publikisht nën moton “të dashur qytetarë të vendit tim”!
Ndërkaq, të gjithë ata që më shkruajnë se “pse e kritikon Prokuroren e Përgjithshme se “ajo është grua e mirë”, “është e urtë”, “është prej rradhëve të të përndjekurve politikë”,”ti je rritur në Mirditë e nuk të takon të sulmosh një mirditore”, “është nga Veriu e duhet ta mbrosh”, e të tjera përgjërime të këtij lloji, fatkeqësisht po më dëshmojnë se nuk kanë kuptuar asgjë nga realiteti kriminal e kolapsi institucional në të cilin gjendet prokuroria edhe për faj të politikës, por jo vetëm prej saj natyrisht!
Legjitimiteti dhe ilegjitimiteti ndahen jo prej emocioneve, po prej ligjit e zbatimit të tij në zgjedhjen apo emërimin, në rastin tonë të Prokurores së Përgjithshme!
E nga ky përcaktim, zgjedhja në kundërshtim me detyrimin kushtetues e bën ilegjitime zgjedhjen e saj, e bën ilegjitim e të pavlerë autoritetin e saj!
Dhe për fat të keq, këtu fillon e keqja, këtu fillon abuzimi, këtu fillon shpërdorimi!
Këtë e di shumë mirë edhe zonja Prokurore e Përgjithshme, e cila edhe letrën e vet publike, pasi e fillon me refrenin “ të dashur qytetarë të vendit tim”, e nënshkruan në fund, Arta Marku, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, një emërtim antikushtetues dhe i paligjshëm, sepse edhe në Kushtetutë, edhe në ligj asnjeherë e asgjëkundi nuk flitet për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm!
Mjafton edhe vetëm ky element formal, për ta konsideruar jo vetëm letrën e saj publike, po çdo akt të nënshkruar prej saj me këtë atribut si të paligjshëm e të pavlerë. Ose më e pakta nul, meqë përcaktimi nul është edhe koncept juridik!