Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar pas letrës së presidentit amerikan Donald Trump për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Haradinaj thotë se letra e presidentit amerikan është një lajm i mirë pasi SHBA që në fillim ka qenë përkrahësja e shtetit të Kosovës.
“Letra e Presidentit Trump është lajm i mirë për shtetin dhe popullin e Kosovës. ShBA që nga fillimi ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahësja më e fuqishme e shtetit të Kosovës, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës mbështes fuqishëm çdo përpjekje për unifikim të qëndrimeve të spektrit politik dhe përgatitjeve të shpejta për përmbylljen e marrëveshjes gjithpërfshirëse ligjërisht obligative ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale.
Në letrën e Trump për Thaçin, presidenti amerikan shprehej për një marrëveshje dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij tani është shansi historik.
Trump thekson gjithashtu se është i gatshëm të presë në një takim në Shtëpinë e Bardhë dy presidentët Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiç.
“Dështimi për të kapitalizuar këtë mundësi unike do të ishte ngecje tragjike, sepse një mundësi tjetër për paqe gjithpërfshirëse nuk ka gjasa të ndodhë shpejt. Ju bëj thirrje juve dhe liderëve të Kosovës që të shfrytëzoni këtë moment unik, të flasin me një zë të unifikuar gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do ta bënin të vështirë arritjen e një marrëveshjeje. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”, shkruhet nw letwr.
Trump ka thënë se SHBA-ja ka investuar shumë në suksesin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. “Ne duam që vendi juaj të ketë sukese”, ka thënë Trump. “Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë përpjekjet e juaja për të arritur një marrëveshje, e cila balancon interesat edhe të Kosovës edhe të Serbisë”, është shprehur ai.
(B.H/Faxweb)