Publikimi i letrës së Presidentit Meta drejtuar Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhely, letër e cila u interpretua si ‘shkopinj nën rrota’ për çeljen e negociatave, ka detyruar kreun e shtetit të sqarojë qëllimet e tij në një konferencë për shtyp me gazetarët. Pyetjes se a ndikon në këto bisedime ekspozimi në Bruksel i konfliktit të tij me maxhorancën dhe se a sheh sinjale të qarta për bllokim dhe këtë herë siç e paralajmëroi bllokimin e bisedimeve tetorin e shkuar ai u përgjigj:
“Nuk i druhem të vërtetës, kam 3 vjet që ua them të gjithëve, popullit, mazhorancës, ndërkombëtarëve që Shqipëria të mos rrijë as 1 minutë pa Gjykatë Kushtetuese dhe e dini shumë mirë kush e minoi. Pikërisht këta nuk ndjejnë përgjegjësi, ata që e shkaktuan vetë; mazhoranca dhe shumica që do të kapë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka demokraci dhe as bashkëjetesë, nuk ka arbitër në mes palëve në fushën politike ekonomike duke mos pasur garant në një shtet demokratik.
As ndërkombëtarët nuk i janë përgjigjur shqetësimeve të Presidentit. Shihni si është zbatuar reforma që u votua me 140 vota, duke nisur që nga zgjedhja me 69 vota të Prokurores së Përgjithshme.
A e thirrën vetë Komisionin e Venecias? Ajo i ka shkruar vetë këto në Kushtetutë, sepse nëse 6 anëtarë i zgjedh maxhoranca, i thërret dhe merr vendime dhe pa një mendim oponent. Më pas ata i thanë Venecias faleminderit që erdhët, pijmë një kafe apo një gotë vere se të tjerat i zgjidhëm. A është kjo në interes të hapjes së negociatave. Ka vetëm një qëllim: mbajtjen e pushtetit. Isha unë që i thashë zonjës së Bilalit asokohe do koalicion? Eja miratojmë këto ligje pastaj vijojmë“, u shpreh Meta në konferencë për shtyp.