Lëvizje të forta në Prokurorinë për Krime të Rënda me ligjin e ri për ndarjen e seksioneve. Shefi i Prokurorisë Besim Hajdarmataj ka emëruar për zëvendësdrejtues prokurorin Gent Osmani njëherazi kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Veç Osmanit si shef i njësisë Anti-Korrupsion, Hajdarmataj ka emëruar prokurorin Arenc Çela, i cili është nipi i Maksim Çelës, i dënuar si pjesëtar i Bandës së Lushnjes drejtuar nga Aldo Bare.
Shef i seksionit të Krimit të Organizuar dhe Trafiqeve Hajdarmataj ka emëruar Besnik Muçin, ish-prokurori që ka hetuar Aldo Baren.
Burimet thonë për ”Shuplaka”-n se veç këtyre emërimeve, Hajdarmataj ka shkarkuar nga prokurore e njësisë së Anti-Korrupsionit Doloreza Musabelliun, duke e caktuar prokuror të thjeshtë në njësinë kundër trafiqeve. Shkak për këtë lëvizje të prokurores Musabelliu mësohet se është bërë vendimi i saj për mospushimin e dosjes hetimore ndaj tre gjyqtarëve të Apelit të Durrësit.
Burimet thonë se prokurore Musabelliu kishte vendosur dërgimin e tre gjyqtarëve për gjykim me cilësinë e të pandehurve por shefi i akuzës së Krimeve të Rënda nuk ishte në një mendje, duke ia hequr dosjen edhe nga hetimi. Për këtë dosje ende nuk ka një vendim pushimi apo dërgimi në gjyq. /SHUPLAKA