Edvin Kulluari ishte i ftuar në studion e lajmeve të Fax News ku foli për aktualitetin politik, krizën dhe përgjegjësit e saj që sipas tij, kryesisht vijnë nga opozita.
Kulluri, në nisje të bisedës tha se Partia Socialiste dhe Rilindja tashmë janë e njëjta gjë sepse përmbajnë të njëjtën filozofi, dhe argumentoi se ka shkatërruar shtresën e mesme.
“Rilindja dhe Partia Socialiste tashmë janë e njëjta gjë, qeveria prej kohësh nuk ka më lidhje me të majtën social demokrate, kanë të njëjtën filozofi, shtresa e mesme është varfëruar dhe shkatërruar plotësisht. Problemi sot është se opozita, jo vetëm që nuk është në gjendje të ofrojë një alternativë, por nuk është edhe formalisht një alternativë për shkak të atyre që kemi thënë që kanë të bëjnë me marrëveshjet që ka bërë. Kjo do ta rëndojë edhe më shumë pozitën e opozitës shtuar faktin se kemi edhe një president që ka qenë në krye të një partie që sot është opozitare, dhe që ka ende ndikim të forte”.
Për aksionin opozitar të paralajmëruar për në vjeshtë Kulluri tha: “Jam i bindur se në vijim, ndryshe nga sa është premtuar për në shtator, nuk do të ketë protesta”.
Një ish-funksionar i lartë në Partinë Demokratike dhe sot një anëtar i thjeshtë i saj, Edvin Kulluri hodhi akuza të forta ndaj Lulzim Bashës për të cilin tha se me vendimet dhe sjelljet e tij ka shkaktuar krizën politike në vend, është tërhequr nga premtimet solemne, nuk respekton statutin e partisë dhe ka zgjedhur pas vetes njerëz pa kontribute dhe mediokër.
“Në gjithë këtë situatë ku ndodhet vendi, në PD nuk ka sot asnjë debat dhe e them me bindje se brenda kësaj partie politike ka vetëm specie të bindura ndaj Lulzim Bashës. Basha u tërhoq në dy premtime solemne që kishte bërë. Të mos futesh në zgjedhje është një marrëzi. Dështimi spektakolar në aksionin opozitar të Bashës ka ndodhur për këto arsye: Lista e kandidatëve në 2017, një fushatë mizerabël dhe thellësisht mizerabël duke sulmuar LSI-në dhe asnjëherë mazhorancën. Kur ti je fajtori kryesor për 25 Qershorin, nuk mund të nxjerrësh njerëzit në rrugë kundër kupolës së Edi Ramës. Sepse kur ti gënjen veten nuk mund të gënjesh qytetarët.
Kur ti ofron në krye të partisë njerëz pa kontribute dhe mediokër, si mund ti bindësh qytetarët. Kur ti nuk zbaton statutin e partisë si mund të bindësh njerëzit se Edi Rama po shkel Kushtetutën. Ne e dimë kush është Edi Rama se çfarë bëri si kryebashkiak dhe si kryeministër, por nuk po krijojmë një aklternativë për ta kundërshtuar dhe larguar. Dështon në 2017, dështon edhe tani dhe nuk jep dorëheqjen, dhe kështu është kriijuar kriza politike. Kriza sot ka ardhur për shkak të opozitës dhe vendimeve të saj”, tha Kulluri në Fax News TV.
Lidhur me aludimet se në kampin opozitar ka një krisje midis dy partive më të mëdha, PD dhe LSOI, Kulluri tha se nuk ka më PD të bashkuar jo më opozitë të bashkuar ndërsa shtoi: “Me sa di unë paraprakisht ka një krisje mes tyre. Por nuk e shoh në këtë kontekst, unë e shoh si një nga problemet e krizës. Harrojeni se brenda PS-së do të krijohet një lëvizje e re kundër establishmentit, këtë duhet ta bëjë vetëm opozita”.
Pse nuk u regjistrua PD në zgjedhje?
“Nuk e kam fare të mundur të jap një përgjigje për “pse-të” e Lulzim Bashës”.
A ishin të ligjshme zgjedhjet e 30 Qershorit?
“Unë them se po, kryebashkiakët janë në zyrat e tyre sot”.
A do të njihen këto zgjedhje?
“Kush do t’i njohë, Lulzim Basha?! Nga pikëpamja formale dhe ligjore ishin zgjedhje, por nga pikëpamja morale jo sepse ishin pa kandidat përballë”.
Si i komentoni denoncimet për faturat e ministres Etilda Gjonaj?
“Nuk është diçka që nuk e kemi parë ndonjëherë, kjo ndodh çdo ditë dhe i shohim makinat shtetërore nëpër bare, plazhe e restorante. Kështu e kemi gjetur në vitin 2005, e largoi qeverisja Berisha, por është rikthyer dhe kështu e kemi edhe sot. Është kulturë dhe model i të majtës. Nuk është problem tek ajo shumë, por tek ajo çfarë bëhet me tenderat e rrugëve. Por kush kërkon llogari? Parlamenti që nuk ka opozitë brenda, presidenti që dihen marrëdhëniet me qeverinë, apo KLSH që nuk ka ende një kryetar”.
Ndërsa për ecurinë e ngritjes së institucioneve të drejtësisë, Kulluri tha se ka mundësi që një mazhorancë të ndikojë në emërime. Ai shprehu bendjen se PS i ka futur duart në KLGJ dhe KLP, por nga ana tjetër, argumnmentoi se e gjithë ecuria ndiqet nga ndërkombëtarët.
“Unë besoj se institucionet e reja duhen ngritur me çdo kusht sepse paligjshmëria duhet të marrë fund njëherë e mirë sepse pritshmëria e opionionit është aq e lartë sa nëse nuk do të ndërmerrej kjo reformë, as 500 mijë shqiptarë nuk do të ishin sot këtu”.
“Kjo opozitë nuk ka të ardhme në pushtet, dhe nëse kjo nuk më bind dot mua si do të bind shqiptarët e zakonshmëm. Ne kemi një sistem zgjedhor problematik, kemi një reformë në drejtësi që nuk lidhet shumë me balancat e kontrollit të pushteteve, kemi një qeveri që nuk ka raport të mirë me parlamentin. Pra duhet një elitë tjetër politike që ta zgjidh në bllok këtë situatë, dhe ka ardhur koha për ndryshime rrënjësore në Kushtetutë”, tha Kullurri në intervistën me gazetarin Enea Meksi.
Duke marrë parasysh edhe disa zëra të tjerë brenda PD-së si Arben Ristani apo të tjerë që janë përjashtuar si Topalli, Bode etj, ai u pyet edhe për mundësinë e krijimit të një lëvizjeje të re brenda të djathtës, por që demokrati as e pohoi por as nuk e mohoi, ndërsa theksoi se në Partinë Demokratike ka nevojë për ndryshime rrënjësore.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/450205968911778/
(F.GJ/FAXWEB.AL)