Nesër në Shqipëri, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bashkë me katër liderët e tjerë të rajonit, Aleksandar Vuçiç, kryeministrin në detyrë i Malit të Zi, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski si dhe Borjana Kristo, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës si dhe komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi do të drekojnë në vilen 30 mesditën e të hënës në një takim informal ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.
Kosova është gjithashtu e ftuar, por ende nuk ka një konfirmim nëse Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të jetë pjesë në takimin e ftuar nga Rama në Tiranë.
Zyra e Kryeministrit njofton se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nga sot po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.
Mbledhja e radhës e nismës së Angela Merkelit ndërmarrë në 2014, do të zhvillohet në mesin e Tetorit në Tirane ndaj kryeministri Rama ka vendosur të diskutojë paraprakisht me të gjithë vendet që janë pjesë e iniciativës së Procesit të Berlinit mbi projektet konkrete rajonale që duhet të shtyjnë përpara.
Vetë Kryeministri Rama ndërmori dhe një tur rajonal javën e shkuar te të 5 vendet e Ballkanit Perëndimor për të folur për rëndësinë që ka fokusimi tek kjo nisme dhe jo Ballkani i Hapur që sipas tij e ka kryer misionin e tij.