Përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave deklarojnë se gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, mesditën e sotme, morën sinjale se LSI-ja do të ndajë të njëjtin shqetësim me presidentin Nishani, lidhur me ligjin që lejon importin e mbetjeve.
Në përfundim të takimit në zyrën e Metës, përfaqësues të AKIP bënë të ditur se kreu i Kuvendit i la të kuptonin se pa konsensusin me shoqërinë civile nuk do të ketë ligj.
Sipas ambientalistit Sazan Guri, i vetmi konsensus me shoqërinë civile është vota kundër ligjit të mbetjeve.
Pak ditë më parë kryetari i Kuvendit Ilir Meta theksoi rëndësinë e nxitjes së dialogut, lidhur me ligjin e kontestuar që lejon importin e mbetjeve. Kreu i LSI-së theksoi se miratimi i ligjit, në kushtet e një konfliktualiteti, edhe qoftë ky i stisur nga opozita, nuk është pozitiv.
Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u miratua me 63 vota të maxhorancës, ndërsa deputetët e PDIUsë nuk morën pjesë në votim. Por ligji u kthye sërish në Kuvend nga Presidenti Nishani.