Shoqëria Civile ka nisur grumbullimin para selisë së Parlamentit në vrazhdën e protestave kundër Ligjit për “Importin e Integruar të Mbetjeve”.
Duke ditur që nesër mblidhet seanca plenare, ata janë vendosur para Parlamentit ku do të kalojnë edhe natën e sotme.
Ata shprehen të vendosur në kauzën e tyre, ndërsa i kërkojnë parlamentarëve të mos e votojnë Ligjin, që sipas tyre e bën Shqipërinë “kosh plehrash” të Europës pasi vendi ynë nuk i ka kapacitetet për një nismë të tillë.
“Po mblidhemi edhe më shumë! Ne jemi para Parlamentit kundër ligjit të importit të plehrave.
Eja edhe ti, merr një batanije me vete. Ne do ta gdhijmë!”, shkruan aktivisti dhe gazetari Aulon Kalaja, raporton “Shuplaka”.
E njëjta nismë u ndërmor nga shoqëria civile edhe më 23 nëntor, por një ditë më pas dekreti i presidentit nuk ishte në rend dite.
Opozita, PDIU dhe LSI kanë deklaruar votën kundër dhe për këtë arsye Partia Socialiste nuk i ka numrat e nevojshëm për kalimin e ligjit në fjalë. (A.R/SHUPLAKA)