Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të përkujdeset për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, pas përgatitjes së ligjit të ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili parashikon që përbërja e institucioneve publike duhet ta reflektojë përbërjen etnike të popullsisë, një nga parimet bazë të Marrëveshjes së Ohrit.
Zëvendës kryeministri i RMV-së për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai dhe zëvendës drejtori i Agjencisë për Administratë që është përgjegjëse për kontrollin dhe menaxhimin e zbatimit të punësimit të drejtë në administratën shtetërore, sigurojnë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, do të rritet numri i shqiptarëve të punësuar në administratën shtetërore.
“Nga zotëri Krasniqi dëgjova për gjendjen në Agjencinë e Administratës që si Qeveri e re jemi duke u munduar që ta fuqizojmë, me burime njerëzore, alokime financiare, që ky Agjencion të jetë sa më i përgatitur të jetë e mundur. Që nesër kur ligji të jetë në fuqi, institucioni të jetë i gatshëm për të filluar menjëherë me zbatimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili do të kërkojë resurse të mëdha duke marrë parasysh të gjitha obligimet që krijohen nga ligji”, tha Arben Fetai, zëvendës kryeministër i RMV-së.
Zëvendës drejtori Muhamed Krasniqi njoftoi se ka institucione ku numri i shqiptarëve është shpërfillës.
“Mund të themi se diku vetëm 3 për qind kemi rritje të numri të të punësuarve shqiptar në administratën shtetërore, dhe në mesin e tyre kemi vërejtur shumë keqpërdorime që automatikisht tregon se jo çdoherë një lloj mekanizmi ose vendimi i tillë mund të ketë efektin e duhur. Unë besoj se ky propozim ligj do ta ketë efektin e vet pozitiv sepse do ta japë pasqyrën reale mbi të gjitha institucionet në administratën publike”, u shpreh Muhamed Krasniqi, zv/drejtor i Agjencisë për Administratë.
Ligji i ri për përfaqësim të drejtë zëvendëson mekanizmin e Balancuesit, i cili u shfuqizua kohë më parë. Ligji kaloi në qeveri javën e kaluar, ndërsa do t’i drejtohet Kuvendit pas marrjes së mendimit nga Komisioni i Venecias.